Miqësorja me Slloveninë, Reja do të zbulojë grupin e të rinjve, presion veteranëve për formacionin

0
330

Kombëtarja do të ketë provën e parë të saj për këtë vit më 30 mars, në një duel miqësor kundër Sllovenisë, ndeshje e planifikuar të luhet në Udine të Italisë. Në të vërtetë asgjë nuk është përfundimtare, por besohet pothuajse plotësisht që kjo ndeshje do të luhet pikërisht në Itali e ku të dyja përfaqësueset do të kenë mundësinë të testojnë vlerat e tyre. Padyshim që për kombëtaren kuqezi kjo është një mundësi jo e vogël, pasi luajnë ndaj një kundërshtari të një niveli pak a shumë të barabartë. Ndërkohë, për trajnerët është një mundësi të nisin rrugëtimin e tyre për edicionin e ardhshëm kualifikues të Botërorit 2022, por jo vetëm kaq, pasi tekniku Edi Breja ka në plan të kompletojë revolucionin e tij, të nisur në përfaqësuese prej afro gjashtë muajsh e që konsiston në disa drejtime. Së pari në rinimin e grupit, së dyti në konkretizimin e skemës së tij taktike 3-5-2, e në fund marrjen e rezultateve sa më të mira për objektivat afatgjata të përfaqësueses së Shqipërisë.

Reja nis vëzhgimin e të rinjve

Trajneri Edi Reja ka në plan të ndërtojë një kombëtare krejtësisht me lojtarë të rinj, për këtë arsye ai i ka hedhur sytë nga të rinjtë dhe disa lëvizje i ka bërë tashmë. Megjithatë, fakti që ndjek grumbullimet e skuadrës U-15, U-17 dhe U-19, pa harruar ndeshjet e skuadrës Shpresa (U-21), tregojnë qartë se Reja është i fokusuar me të rinjtë që do t’i duhen në projektin e tij katërvjeçar të së ardhmes, një projekt që synon kualifikimin e Shqipërisë në Europianin e vitit 2024. Nga ana tjetër, Reja po ndjek në distancë disa prej elementëve të rinj më të mirë që luajnë në akademitë e klubeve të rëndësishme në Itali dhe në Europë. Natyrisht, duke qenë i shkollës futbollistike italiane ai është i prirur të zgjedhë më shumë lojtarë që luajnë në klubet e Serisë A dhe në akademitë e tyre, por pa harruar dhe kontigjentin jo të vogël të të rinjve shqiptarë që luajnë në Zvicër e Gjermani, apo dhe në Greqi. Pra Reja po synon një skuadër të së ardhmes. Nga ana tjetër, grumbullimi i sa më shumë të rinjve dhe angazhimi i tyre mund të jetë një formë presioni ndaj veteranëve që të rrisin vigjilencën, të shtojnë forcën e “motorëve” që të jenë titullarë, të kenë minutazh aktivizimi dhe të jenë në formë të mirë sportive që të meritojnë ftesën në Kombëtare. Grumbullimi i shumë të rinjve dhe vëmendja e madhe ndaj tyre duket se i ka vënë nën presion që tani disa prej lojtarëve bërthamë të skuadrës përfaqësuese. Miqësorja e 30 marsit ndaj Sllovenisë në Udine mund të jetë pikërisht rasti kur Reja të zbatojë aktin e parë të një Kombëtareje të rinuar dhe veteranët kanë arsye të shqetësohen.

Njoftimi i federatës për miqësoren e 30 marsit

Pak ditë më parë, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar edhe vetë zyrtarisht për mundësinë e miqësores me Slloveninë, një takim që do të luhet në Itali. “Skuadra kombëtare e futbollit, e drejtuar nga trajneri Edi Reja, do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Slloveninë, në datën 30 mars 2020. Federata e Futbollit ka dakordësuar së bashku me homologët e Sllovenisë, që sfida të zhvillohet në fushë neutrale. Kjo miqësore do të zhvillohet në Itali, pikërisht në stadiumin e Udineses, “Dacia Arena”, ora 20:45. Detajet e biletave dhe pikave të shitjes për të gjithë sportdashësit kuqezi, do të komunikohen në ditët në vijim”, thekson FSHF. Ky është njoftimi i FSHF-ë, për miqësoren e radhës të kuqezinjve, në një periudhë kur janë programuar të zhvillohen ndeshjet “play-off” të Nationas League. Duke qenë se Shqipëria është eliminuar nga ky kompeticion, qeveria e futbollit shqiptare ka vendosur ta shfrytëzojë këtë datë të lirë për një test miqësor ndaj një përfaqësueseje relativisht cilësore. Në Udine, një qytet jo shumë larg kufirit mes Italisë dhe Sllovenisë pritet të jenë të pranishëm një numër i konsiderueshëm tifozësh nga të dyja përfaqësueset./Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here