Një status i tij në muajin shtator të vitit 2018, ku kritikonte Policinë e Shtetit për dy vrasje të ndodhura në Mamurras, i kushtuan atij përjashtimin nga grupi parlamentar socialist. Ishte kryeministri Edi Rama që i kërkoi Asamblesë së PS, përjashtimin e deputetit të Kurbinit, Gjetan Gjetani, duke bërë që ky i fundit të qëndronte në Parlament si deputet i pavarur.
Por së fundmi ish-deputeti socialist ka vendosur t’i bashkëngjitet Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Gjetan Gjetani në një intervistë për News24 tregon edhe kur lindi ideja për t’iu bashkuar LSI-së. Deputeti i Kurbinit shprehet se ai nuk ka bashkëpunuar në asnjë moment me bandat kriminale, për të marrë mandatin e tij, sepse nëse ai do të ishte pjesë e botës së krimit, do të ishte akoma pjesë e Partisë Socialiste. “Nëse do isha pjesë e bandave, Rama s’do me kishte perjashtruar nga PS”- shprehet Gjetani.
“Ideja për të kaluar tek LSI erdhi pas tërmetit. Më ka habitur mllefi i Ramës për Kurbinin”, thotë ndër të tjera ai.
Gjetani tregon se ka negociuar për t’iu bashkangjitur LSI-së, drejtpërdrejt me kryetaren, Monika Kryemadhi. Ai thotë se nuk ka shkuar në këtë parti për të marrë premtime, por me qëllimin për të ndihmuar zonën e tij.
Ish-deputeti socialist akuzon Edi Ramen se ka rrënuar shtetin shqiptar, duke dështuar në reformat më kryesore që ka ndërmarrë.
“Rama do mbahet mend për shkatërrimin e ekonomisë. Ka shkatërruar sistemin gjyqësor. Në çdo bashki bandë kriminale. Në administratë të gjithë të emëruar me urdhër të Ramës”, deklaron ish-deputeti i PS.
Gjetani deklaron se djegia e mandateve ka qenë një gabim sipas tij nga opozita. Sa i përket mandatit të tij tashmë që ka kaluar me LSI-në ai thotë: “LSI do të vendosë për mandatin tim”.
Por a është e moralshme kjo lëvizje e deputetit të Kurbinit? “Jam përplasur me Ramën jo për interesa personale. Jam përplasur për interesa të qytetarëve”, shprehet Gjetani.