Mëngjesin e sotëm në media u publikuan disa pamje të një kryebashkiaku që shfaqet duke konsumuar kokainë në publik.
Videoja për të cilën flitej gjerësisht në rrethet mediatike dhe politike është publikuar sot nëpërmjet disa sekuencash fotosh në emisionin e Enkel Demit, ‘Abc-ja e Mëngjesit’. Ndërkohë që videoja e plotë do të publikohet nga gazetari Artan Hoxha në orët në vazhdim.
Mirëpo drejtuesi i emisionit të mëngjesit, Enkel Demi teksa shfaqeshin këto imazhe në ekran tha se i pranishëm në emision do të ishte edhe Artan Hoxha, por ai shfaqet i padisponueshëm në telefon edhe pse stafi është përpjekur ta kontaktojë.
“Artan Hoxha disponon videon e plotë. Këto janë vetëm disa sekuenca. E kishim lënë që ta kishim Artan Hoxhën në emision por nuk përgjigjet në telefon. Në këto pamje shohim një zotëri që është duke thithur kokainë në një bar publik. Nuk është identifikuar publikisht por ne e dimë emrin dhe mbiemrin e tij. Gazetari Artan Hoxha ka patur një punë deri vonë, prandaj nuk është i disponueshëm, por gjatë ditës ai do të sqarojë dhe do të publikojë të plotë videon. Siç është thënë edhe në disa portale, kryebashkiaku po festonte marrjen e mandatit duke konsumuar kokainë.”, u shpreh gazetari.