Kryeministri Edi Rama e nisi dje vizitën e parë në Ukrainë si pjesë e misionit të OSBE-së. I shoqëruar nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, Rama preferoi ta përshkonte në këmbë rrugën drejt ministrisë së Jashtme, ku u takua me ministrin Vadym Prystaiko, ndërkohë që pas takimit dolën në një konferencë të përbashkët me homologun e tij ukrainas. Gjatë fjalës së tij, zoti Rama në cilësinë edhe të kreut të Presidencës së OSBE u shpreh i gatshëm për të zgjidhur krizën në Ukrainë dhe zonat përreth, ndërsa theksoi se duhen ndërmarrë hapa nga kryesia e radhës e Shqipërisë në OSBE për të lehtësuar jetën e popullsisë në të dy anët e kufirit.
“Nuk është rastësi që vizita ime e parë është në Ukrainë. Ajo reflekton rëndësinë e madhe që u kushtoj përpjekjeve për të zgjidhur krizën në Ukrainë dhe përreth saj. Në këndvështrimin tim kjo mbetet sfida më e ngutshme për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë sot. Do bëjmë maksimumin për të siguruar respektimin dhe parimin e OSBE, do të inkurajojmë zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut duke mbështetur përpjekjet e grupit tripalësh. Ajo çfarë mbetet thelbësore është jeta e njerëzve dhe vështirësitë që të gjitha ata përballen me zonat e prekura nga konflikti. Ne do të punojmë pareshtur për të garantuar ndalimin e të shtënave dhe një armëpushim i qëndrueshëm është jetik për jetën e njerëzve atje. Ky konflikt vazhdon të prodhojë viktima civile, kjo është e papranueshme dhe duhet të ndalë. Synimi ynë është të sigurojmë një armëpushim të plotë dhe të qëndrueshëm”, deklaroi Rama.
Në Kiev dje kryeministri Rama takoi edhe presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, kryeministrin Honcharuk dhe kryetarin e Parlamentit, Dmytro Razumkov. Në fokus të misionit të Ramës si kryetari i radhës së Misionit të OSBE-së, është kriza mes Ukrainës dhe Rusisë. OSBE dërgon prej vitesh njerëzit e saj për të monitoruar zonën e konfliktit me separatistët që mbështeten nga rusët. Ndërkohë, bëjmë me dije se ditën e sotme kreu i qeverisë shqiptare do të vizitojë Ukrainën Lindore për të parë nga afër zonën e prekur nga konflikti.