Vilson Tafçiu Noka u ekzekutua me plumb në gjoks, një natë më parë, në zonën e Astirit në Tiranë. 28-vjeçari ishte ulur në një lokal në këtë zonë me dy vajza në momentin që u thirr nga jashtë nga një person dhe më pas u qëllua për vdekje.
Zbardhet dëshmia e dy vajzave që ishin një natë më parë duke pirë kafe me 28-vjeçarin Vilson Tafçiu, para se ky i fundit të ekzekutohej. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se teksa ishin të tre të ulur në tavolinë, një person është futur në lokal, është drejtuar tek ta dhe i ka kërkuar 28-vjeçarit që të dilte jashtë, me preteksin se do t’i sqaronte diçka.
Siç mësohet të kenë dëshmuar dy vajzat, personi që e ka nxjerrë jashtë dukej që kishte njohje me viktimën dhe mësohet të jetëpikërisht shoku i tij, me inicialet N.D., që është shpallur në kërkim nga policia. Menjëherë pas thirrjes së tij, Vilson Tafçiu është ngritur nga tavolina dhe ka dalë nga lokali, bashkë me personin që e kërkoi.
“Erdhi dhe i kërkoi të dilte jashtë. ‘Eja të të sqaroj diçka’ i tha. Dukej sikur njiheshim. Më pas Vilsoni doli jashtë bashkë me personin që e thirri,”- mësohet të kenë thënë dy vajzat.
Menjëherë pas krimit, autorët u larguan nga vendi i ngjarjes me një automjet të llojit “Golf 6”, me ngjyrë të zezë. Policia ka shpallur në kërkim shokun e viktimës, me inicialet N.D., që e nxorri në pritë të riun, duke e larguar jashtë ambjenteve të lokalit, në një rrugicë, ku edhe e ekzekutoi.