Kategoria Superiore do të startojë në fillim të javës së ardhshëm duelet e pjesës së dytë të sezonit, konkretisht të javës së 18-të, që shënon edhe gjysmën e ndeshjeve gjithsej të edicionit. Në prag të rinisjes së kampionatit, duket se klubet po përpiqen të shfrytëzojnë në maksimum merkaton dimërore, për të bërë lëvizje të tilla që sjellin diferencë ndaj rivalëve në këtë garë. Kështu, skuadrat me pretendime për titull, si Kukësi, Partizani, Tirana dhe Teuta, pa anashkaluar edhe Laçin, kanë ambicie për trofe dhe janë në rrugën e duhur, por që të bëjnë diferencën në pjesën e dytë të sezonit u duhet të godasin në treg me elementë cilësorë. Për momentin lëvizjet kanë qenë të dobëta, për të mos thënë me karakter dalës mbizotërues, por deri në ditët e fundit të janarit gjithçka është e mundur. Ndërkohë, kur mbeten pak ditë nga rinisja e garës, tashmë me duelet e javës së 18-të, duhet bërë një bilanc i ecurisë së javëve të fundit në vitin 2019, pasi ecuria e ndeshjeve të fundit është domethënëse për objektivat që kanë klubet. Gazeta “Sot” bën analizën e pesë ndeshjeve të fundit, ku konstatohet se Kukësi ka progres të frikshëm në rritje, me 13 pikë të grumbulluara. Një ecuri e tillë dëshmon stabilitetin e skuadrës verilindore dhe natyrisht punën e mirë të stafit me në krye trajnerin Shpëtim Duro. Për më tepër, skuadra verilindore nuk duket të ketë probleme me pagesat, pasi ato janë vendimtare në futbollin tonë dhe Kukësi e ka pasur këtë avantazh, i cili bën diferencë në rrugëtimin drejt trofeut kryesor sezonal. Pas Kukësit, vijnë Teuta dhe Bylis me nga 10 pikë të grumbulluara në pesë ndeshjet e fundit. Menjëherë pas tyre renditet Tirana me 9 pikë në 5 ndeshje, një ecuri pothuajse e nivelit mesatar, e Vllaznia që ka grumbulluar 7 pikë, nivel i pranueshëm për mbijetesë. Humbja në derbi e tronditi Partizanin, i cili pësoi disfatë edhe në takimet e mëpasme. Të kuqtë grumbulluan vetëm 6 pikë në 5 ndeshjet e fundit dhe ky trend është shqetësues për “demat” në rrugëtimin drejt titullit. Praktikisht, një ecuri e tillë e nxjerr Partizanin jashtë titullit, kurse në garë mbetet Kukësi, i rivalizuar nga Teuta e Tirana që kanë trend në rritje. Sidoqoftë, pavarësisht statistikave, është ende herët për të dhënë deduksione për pritshmëritë e titullit, pasi Partizani por edhe Laçi, që nuk kanë pikë mjaftueshëm në javët e fundit, kanë shanse reale të pretendojnë titullin, nisur nga diferenca e ngushtë me pikë që ka në renditjes nga vendi i 1-rë në vendin e 7-të.
Sulmi më i mirë
Sulmin më të mirë e ka Laçi dhe nuk është rastësi. Me ardhjen e Cungut kurbinasit janë shndërruar në një makineri golash dhe vendimtar në këtë trend është Nuabueze që është golashënuesi më i mirë i momentit në Kategorinë Superiore. Skuadra tjetër që ka një sulm relativisht të mirë është Tirana, e cila ka realizuar gjithashtu 27 gola në 17 javët e para të Superligës. Siç shihet dhe nga statistikat, koeficienti i realizimit për ekipet me sulm të fortë është i dobët, pasi nuk shkon në 2 gola për ndeshje, pra është më pak (1.6 gola për ndeshje për skuadrat me sulmin më të mirë), por si Tirana, ashtu dhe Laçi kanë mbrojtje relativisht më të dobët, prandaj dhe nuk janë në kryesim.
Mbrojtja më e mirë
Duket e pabesueshme por një nga skuadrat pretendente për titull është Teuta dhe ajo ka një golavarazh të çuditshëm 13-12. Pra durrsakët janë ekip që shënojnë më pak se një gol për ndeshje, por praktikisht janë ekipi që pësojnë më pak. Edhe trendi i javëve të fundit e konfirmon këtë. Mbrojtja më e mirë të nxjerr kampion dhe kjo aksiomë vlen, pasi me këtë “formulë” një vit më parë Partizani fitoi titullin. Durrsakët janë në nivel pretendimi pikërisht se pësojnë shumë pak gola, por nëse duan vërtet të fitojnë kampionatin duhet të përmirësojnë sulmin.