Një prej skandaleve të mëdha që pritet të vërë UEFA-n para kritikave ka të bëjë me përzgjedhjen e futbollistëve në listën e më të mirëve për vitin 2019. Në fakt është formacioni më i mirë, me një skemë taktike që zakonisht nuk aplikohet nga ndonjë klub i madh europian dhe ku përfshirja e katër sulmuesve ka sjellë një tymnajë jo të zakonshme. Dhe në këtë vorbull manipulimesh është vetë qeverisja e futbollit europian, që ka përfshirë në skemën e më të mirëve në kundërshtim me vullnetin e votuesve portugezin Kristiano Ronaldo. E gjitha kjo për shkak se në skemën 4-3-3 që duhet të ishte si zakonisht, sulmuesi portugez i Juventusit nuk kishte marrë votat e duhura që të rivalizonte me të tjerët. Për pasojë. Mesi kishte marrë më shumë vota dhe me të drejtë, pasi ai ishte kryegolashënues në Spanjë, kryegolashënues në Europë, shënuesi më i mirë i edici9onit të vjetshëm në Champions dhe padyshim asistuesi më i mirë në top-5 ligat e mëdha europiane. Kjo e eklipsonte totalisht Ronaldon, i cili humbi betejën edhe me dy bomberi të tjerë, njëri i Bajerit e tjetri i Liverpulit. Më poshtë jepen edhe detajet e skandalit të UEFA-s.
Votat dhe manipulimi i listës
UEFA publikoi dy ditë më parë 11-shen më të mirë të vitit, e cila zgjedhjet përmes votave të tifozëve. Megjithatë, “Daily Mail” raporton se UEFA e përdori skemën 4-2-4 vetëm për t’i bërë vend yllit portugez, Kristiano Ronaldo, i cili ishte i katërti më i votuar nga sulmuesit – pas Lionel Mesit, Sadio Manes dhe Robert Levandovskit. Drejtuesit e UEFA nuk dëshironin ta publikonin këtë formacion pa Ronaldon dhe për këtë arsye e larguan nga skuadra një mesfushor, për t’i bërë vend portugezit. Mesfushori që e pësoi nga kjo është N’Golo Kante i Çelsit, sipas “DailyMail”. Madje, e përditshmja britanike raporton se ky formacion ishte planifikuar fillimisht të publikohej javën e kaluar, mirëpo mungesa e Ronaldos e shtyu këtë publikim, pasi që UEFA ishte në kërkim të një zgjidhjeje tjetër. “Kjo nuk është aspak një gjë e mirë. Është manipulim me vota. Aq ka famë Ronaldo në mesin e zyrtarëve të UEFA-s, saqë organizata u alarmua që ai s’ishte në 11-she dhe si rezultat u ndryshua formacioni. Kjo të bën të mendosh se çfarë tjetër bëjnë ata”, shprehet një tjetër burim për të përditshmen britanike të sipërpërmendur. Në anën tjetër, një zëdhënës i UEFA ka sugjeruar se ky ndryshim u bë falë fitores së portugezit në Ligën e Kombeve. “Formacioni i këtij viti u zgjodh në bazë të votave të tifozëve dhe paralelisht në bazë të arritjeve të lojtarëve në garat e UEFA-s. Si rezultat, i kemi pesë fitues të Ligës së Kampionëve dhe katër finalistë të Ligës së Kombeve (përfshirë këtu një fitues). Formacioni ndryshohet rregullisht dhe ky vit nuk përbën dallim”, ka thënë zëdhënësi i UEFA-s. Megjithatë, në vitet e tjera formacioni është bazuar vetëm në votat e tifozëve. Në 5 nga 6 vjetët e fundit, formacioni ka qenë 4-3-3, me përjashtim në vitin 2017 kur u zgjodh formacioni 4-4-2.