Trokasin zgjedhjet e parakohshme, PD-PS bëjnë gati terrenin për të shpërndarë Parlamentin në tetor, ja çfarë do të sjellë tryeza e dialogut

0
308

Palët politike duket se po bëjnë gati terrenin për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. PD, PS dhe LSI i kanë surprizuar të gjithë dje, pasi u ulën bashkë në tryezën e dialogut dhe në fund të gjithë dolën të lumtur. Gazeta pak kohë më parë e paralajmëroi se Rama e Basha janë duke shkuar drejt konsensusit dhe kështu ndodhi. Por çfarë prodhoi takimi i djeshëm?

Nëse shkojmë përtej asaj që u servir nga PD, PS e LSI, dukej qartë se ishte një takim i mirëmenduar dhe i planifikuar prej kohësh. Palët kanë negociuar në prapaskenë shumë kohë, edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe dje u tregua se janë gjetur shumë kompromise. Nuk është çudi që takimi erdhi një ditë pasi Basha doli paq nga afera e lobimeve. Por gjëja tjetër që flitet se është dakordësuar është ajo e zgjedhjeve të parakohshme. Vendi është në një krizë të thellë konflikti dhe e vetmja zgjidhje janë padyshim zgjedhjet. Fakti që dje u dakordësuan palët për të mbyllur reformën zgjedhore, tregon qartë se po bëhet gati terreni. Një ndër kushtet që kishte vënë PD për të shkuar në zgjedhje është pikërisht reforma. Meta kërkoi që të futej në zgjedhje më 13 tetor, por PD kërkoi që të mbyllej reforma dhe të kishte qeveri teknike.

Dialogu i djeshëm është sinjal i qartë se po gjendet konsensusi dhe në korridoret e politikës flitet se vendi do të shkojë në zgjedhje në muajin tetor. Basha në radhët e demokratëve ka deklaruar se në qershor do të ketë zgjedhje. Por drafti i reformës do të miratohet në mars dhe sipas OSBE, në zgjedhje është mirë të shkohet 6 muaj pas ndryshimeve zgjedhore. Nëse bëjmë llogaritë, 6 muaj pas ndryshimeve të Kodit i bie muaji tetor. Pra duket se po bëhet gati gjithçka që në këtë muaj të shpërndahet Parlamenti dhe të shkohet në zgjedhje. Dilemat janë nëse do ketë qeveri teknike apo do ketë dhe zgjedhje vendore. Deri në atë kohë do jetë ngritur dhe Kushtetuesja dhe do ketë marrë vendim dhe për zgjedhjet e qershorit. Pra duket se të gjitha gjërat lidhen dhe muaji tetor është më ideali për të pasur zgjedhje, të cilat do sillnin fundin e krizës.

Sinjalet

Sinjalet se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme po jepen nga dita në ditë. Basha hoqi dorë nga revoltat dhe protestat. Edhe pse njerëz të Berishës dhe LSI kanë kërkuar reagim më të ashpër, Basha është përqendruar te programi. Po ashtu ai ka nxjerrë të besuarit e tij në terren dhe ata po mbajnë takime në bazë. Nga ana tjetër Monika Kryemadhi disa ditë më parë deklaroi se do të nisë një proces për verifikimin e anëtarësisë dhe ka bërë thirrje që të gjithë të bashkohen me LSI, pra tamam si fushatë. Ndërkohë përgatitjet më të mëdha po i bën PS. Socialistët po bëjnë zgjedhje në të gjitha degët. Kanë ndryshuar delegatët dhe në shkurt mbledhin Kongresin po për reformimin e partisë.

Ai që i vuri kapak ishte dje Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili deklaroi se tani ka ardhur koha që të hiqet gjendja e jashtëzakonshme dhe të shkohet në zgjedhje. “Përfaqësimi në tryezën e reformës zgjedhore me një nga arkitektët e blerjes së votës është në turpin e PS. Në dorën tonë nuk është të zgjedhim kundërshtarin, por të bëjmë çdo gjë për zbatimin e reformës zgjedhore, që çon vendin drejt zgjedhjeve. Në dorën e qeverisë është të heqë gjendjen e jashtëzakonshme dhe t’u hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Bardhi. Pra duket se të gjithë presin zgjedhjet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here