Shfaqja “Letra”, me jetën e një njeriu të varfër në skenën e teatrit Metropol

0
355

Shfaqja parë për këtë vit në skenën e Teatrit Metropol është ajo me titull “Letra”. Një skicë teatrale, e cila me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës vjen në skenë si bashkë produksion i Teatrit Metropol dhe Teatro Koreja nga Leçe. Me tekst nga Ylljet Aliçka mbrëmjen e 31 janarit kjo vepër do të jetë në skenën teatrore me regji nga Salvatore Tramacere, si dhe interpretim nga aktori Roerd Toçe. Kjo është shfaqja e parë për këtë vit dhe do të vijojë në skenë dhe në ditët e muajit shkurt për publikun.

“Letra”, me tekst nga Ylljet Aliçka, është një vepër që flet mbi mjerimin që gjeneron dashuri, një mjerim të përbashkët, të jetës së gjithkujt, të historisë së një pjese të botës në një qytet malor, e cila është si shtëpia që na mungon dhe jeta që nuk mund ta rilexojmë. “Letra” është jeta e një njeriu të varfër në një letër kërkesë për një banesë sociale. Një vepër teatrale, ku tingulli i fjalëve që përshkruan një ekzistencë të mjerueshme deshifrohet për të kuptuar historinë e gjithkujt. Aktor në skenë Roerd Toçe tregon se për ta sjellë këtë pjesë teatrore ka qenë një eksperiencë e re, në aktivitetin e tij artistik.

“Që në fillim të punës me tekstin dhe regjisorin, por edhe nga biseda e bërë me autorin Ylljet Aliçka, ne u bazuam apo u kapëm fort pas përulësisë, i ndjenjës i të qenit kokë ulur dhe jo në sensin e viktimizimit, por kokë ulur për të mirën e të qenit krenar. Puna jonë nuk është quajtur një monodrame, por një skicë letrare. Mënyra e punës për mua ka qenë një eksperiencë e re dhe shumë e vështirë, duke qenë se jam vetë në skenë, por shumë fryt dhënëse dhe rritëse nga ana profesionale”, tregon aktori Toçe, që me këtë vepër do të jetë në skenë në datat 31 janar dhe 1, 2, 7, 8, 9 shkurt, ora 19:00 në Metropol. Sipas aktorit për këtë pjesë teatrore në skenë jo vetëm është punuar shumë, por ka qenë dhe një ndihmë nga teatri. “Ndihma ka qene shume e madhe nga teatri Metropol dhe teatri Koreja në Itali. Regjisori Italian dhe asistentet ishin shume pozitiv në çdo marrëdhënie, dhe nga ana e drejtuesve të teatrit Metropol (Jonida Beqo, Armela Demaj) nuk ka munguar asgjë për të më bërë mua të ndihem komod dhe në gjendje për të provuar një eksperiencë të re”, thotë më tej Toçe.

“Letra” dhe mesazhet

Shfaqja do të jetë në vijim të këtij muaji në skenën teatrore për publikun, por aktori Roerd Toçe shprehet se qëllimi ka qenë, që “Letra” mos të shihet në skenë vetëm si një shfaqje, por dhe si mundësi bashkëbisedimi. “Personalisht, por edhe si metodologji e Teatrit Metropol në të cilin unë punoj, themi nëse arrijmë të ngremë pyetje apo një ndjenjë empatie atëherë ja kemi arritur qëllimit. Por një qëllim e kemi pasur që në fillim, që “Letra” të mos shihet vetëm si një shfaqje teatrore dhe kaq, por si një mundësi bashkëbisedimi, bashkëbisedim ndjenjash. Shpesh në prova thoshim sikur mos ta japim vetëm në një teatër, por edhe në vende të tjera. Si një bisedë në kafe aq reale duhet të jetë, për të thënë “kjo është historia ime””, tregon më tej aktori.

Në “Letra”, një burrë, një lypës i pastrehë, në një natë me shi si shumë të tjerë, i kërkon një mësuesi të qytetit që jep mësime në peizazhin malor ku lindi dhe jetoi, t’i shkruajë një letër që përshkruan jetën e tij për të përfituar një banesë sociale. Marku, një njeri i vetmuar, i cili i drejtohet mësuesit Andrea duke kërkuar mirëkuptimin e tij. Pasi mjeshtri e shkruan letrën, Marku kërkon që t’ia lexojë përsëri. Ky lexim, objektivizimi i jetës së tij, pa ndonjë theks, bëhet fiksimi figurativ i kuptimit të ekzistencës. Marku do të kërkojë që letra e jetës së tij të lexohet përsëri e përsëri, në të njëjtën natë nga mësuesi dhe për vitet në vijim nga nxënësit që ndalen në rrugë. Derisa të vendosë të bëhet narrator i jetës së tij, ai dëshiron të mësojë të lexojë dhe të shkruajë, ai dëshiron të blejë një alfabet. Përpunimi dramatik është nga Giulia Falzea dhe Salvatore Tramacere, muzika Giorgio Distante, skenografia Lucio Diana, as. regjisorë Andjelka Vulic, Joana Omeraj, kostumografe Frenci Gjerasi dhe teknik Alessandro Cardinale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here