“Johan Padan dhe Amerikat”, çel sezonin artistik këtë vit në teatrin e Korçës

0
257

Nga Komedia “Johan Padan dhe Amerikat” vjen në skenën e teatrit të Korçës me aktorin e njohur Arben Derhemi. Vepra e autorit Dario Fo, me regji nga Milto Kutali për dy mbrëmje me radhë, 10 dhe 11 janar do të jetë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi”. Aktori Arben Derhemi vjen në skenë me aventurat e personazhit dhe mashtruesit Johan Padan, në kërkim të aventurës në të dy kontinentet. Zhigolo, fallxhor, shëronjës, dhe në fund biri diellit që lind dhe i hënës. Drejtoresha e teatrit Zamira Kita shprehet se e vlerëson shumë këtë bashkëpunim, që sjell këtë herë në skenë aktorin Arben Derhemi, me një nga veprat e njohura të autorit Dario Fo. Drejtoresha Zamira Kita thotë se kjo monodramë që vjen në skenë shënon edhe çeljen e sezonit artistit të këtij vitit sipas.

“E vlerësoj shumë si bashkëpunim, sepse publiku e pëlqen, e kërkon, e ndjek, aktorin Arben Derhemi e vlerëson shumë. Për ne ka vlerë se çelim sezonin e këtij viti”, u shpreh Kita.

“Johan Padan dhe Amerikat” që vjen në skenën teatrore nga regjisori Milto Kutali, përcjell mesazhe të rëndësishme për publikun, por kjo është vepra që e solli aktorin Arben Derhemi për herë të parë me një monodramë. Më herët regjisori Kutali kur vepra u shfaq premierë, ka pohuar se personazhet e Dario Fo, në tërësinë e tyre janë njerëz të pafajshëm.

“Janë njerëz të padjallëzuar, janë njerëz që gjithmonë priren nga e mira dhe luftojnë që të vendoset e mira. Ata fitojnë vetëm falë pikërisht këtyre budallaqeve që bëjnë disa njerëz, shpëtojnë ndonjëherë botë të tëra, shoqëri të tëra. I tillë është dhe Johan Padani”, tregon regjisori Kutali.

Në ditët e para të këtij muaji edhe aktori Arben Derhemi bënte me dije për këtë komedi, që do të ishte dy net në skenën e Korçës. Aktori shprehej se komedia vjen në skenë me 12 personazhe. “Komedia “Johan Padan dhe Amerikat” në teatrin “Andon Zako Çajupi”. Nobelisti Dario Fo vjen me 12 personazhe, në 6 dialekte”, shprehej aktori.

Mesazhi human

Me këtë komedi aktori Arben Dehemi ka qenë në disa skena të teatrit jo vetëm në Tiranë, por dhe në qytete të tjera të vendit. Komedia sonte do të jetë në skenën teatrore të Korçës, por sipas regjisori Milto Kutali ajo që është më e rëndësishmja është mesazhi human i dramaturgut Dario Fo, që do jetë edhe në shqip.

“Mesazhi human është që mos e kontrolloni dhe mos e shikoni fundin e botës tek kometat natyrale, tek furtunat e mëdha, tek vetëtimat, bubullimat, tek rrëzimi i gjithçkaje që është ndërtuar deri më sot. Ajo që po prishet është pikërisht shpirti i njerëzimit. Ana shpirtërore po humbet dhe njeriu po bëhet pjesë e botës së makinave, teknologjisë, gjë që nuk do të ishte normale, sepse zoti e ka ndërtuar të tillë dhe e ka bërë natyra kaq të mirë, kaq perfekt, kështu që lëreni kështu siç është”, tregon regjisori.

Monodrama është 1 orë e 40 minuta me Arben Derhemin në skenë, dhe kemi të bëjmë me një shfaqje dinamike. Fituesi i çmimit “Nobel”, dramaturgu dhe aktori italian, Dario Fo ndërroi jetë në moshën 90 vjeçare në tetor të 2016. Dramaturg, aktor, shkrimtar, autor dhe ilustrues, piktor dhe skenograf për gati 60 vjet, Dario Fo revolucionarizoi botën artistike italiane. Ai fitoi famë ndërkombëtare me “Misteri i çuditshëm” me temë nga mesjeta dhe më pas me veprat “Vdekja aksidentale e një anarkisti” dhe “Marijuana e nënës është më e mira”. Në skenën teatrore shqiptare janë vënë disa nga veprat, që mbajnë emrin e autorit nobelist Dario Fo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here