Ministria e Kulturës shpalli kandidatët për çmimet kombëtare të letërsisë, 2018. Ministrja Elva Margariti shprehet se juria e përbërë nga Visar Zhiti, Dhurata Shehri, Brikena Çabej, Riza Braholli dhe Alda Bardhyli, na njeh me listën e veprave më të mira, përzgjedhur prej prodhimit letrar të vitit 2018.
“Këtë vit nuk do të kemi më dy çmime të mëdha, por 6 syresh. Pas një pune disa mujore, në ceremoninë që do të zhvillohet në datën 20 janar, juria do të shpallë fituesit e çmimeve për romanin më të mirë, përmbledhjen me tregime, vëllimin poetik, veprën më të mirë eseistike, krijimtarinë letrare për fëmijë e të rinj dhe përkthimin nga gjuha e huaj”, pohon Margariti mes të tjerave.
Për romanin janë në garë autorët Andreas Dushi me “Marrja e gjakut”, Vrion Graçi me “Pëllumbat i vrasin natën”, Tom Kuka me “Gurët e vetmisë”. Për tregimin janë në garë autorët Daut Gumeni me “Qershia e egër”, Roland Gjoza me librin “Për vajzat nga Parisi” dhe Faruk Myrtaj me librin “Këpucë për gjyqin e fundit”. Në poezi konkurrojnë autorët Sabri Hamiti me librin “Kukula e Sokratit”, Flutura Açka me “Roja i dritës”, Havzi Nela me “Vepra poetike e plotë”. Në estetikë konkurrojnë autorët Mateo Mandala me “Jeronim De Rada: Portret artisti në rini”, Skënder Hasko me “Kur sunduesit grinden” dhe Arian Leka me librin “Në kërkim të këmishës së humbur”. Në letërsinë për fëmijë dhe të rinj janë në garë autorët Mimoza Hafizi me “Pika trëndafili”, Skënder Hasko me “S’ka si shoku im” dhe Shkëlzen Halili me “Gjergj takon Skënderbeun”.
Në përkthim janë në garë autorët Eriona Karabolli -Sabato, Ernesto: “Abadoni, engjëlli i skëterrës”, autori Agron Tufa me Paul Celan “Flokëboret e zeza” dhe Luan Topçiu-Linda Maria Baros: “Shtëpia me brisqe rroje”. Çmimet kombëtare të letërsisë shqipe, që çdo vit akordohen nga Ministria e Kulturës do të gjykohen edhe këtë vit nga juria me kryetar Alda Bardhyli.
Tashmë gjithë veprat e botuara gjatë vitit 2018 në kategori të ndryshme do të kenë mundësi të jenë pjesë e një gare, që do të shpallë në 20 janar më të mirët. Këto çmime ishin parashikuar që të jepeshin që në muajt e fundit të vitit që lamë pas, por për shkak të situatës nga tërmeti që kaloi vendi ynë duket se u shty edhe kjo ceremoni çmimesh.