E gjithë bota duket se i ka kthyer sytë tek konflikti Iran- SHBA. Teherani sulmoi bazat amerikane duke nxitur më tej konfliktin. Shqipëria në këtë mes është rreshtuar krah SHBA-së, detaj që nuk i ka shpëtuar Iranit. Ditën e djeshme lideri suprem i Iranit në fjalimin e tij për një televizion shtetëror reagoi ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në lidhje me marrëdhënien e krijuar me Iranin pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani, por dha dhe një mesazh të fshehur, ku dyshohet se bëhet fjalë për Shqipërinë. Kjo pasi vendi ynë strehon muxhahedinë, të cilët në Iran janë të cilësuar si armiq. “Është një vend shumë i vogël, por i djallëzuar europian, ku elementë amerikanë bashkëpunojnë me tradhtarë iranianë dhe planifikojnë kundër Republikës Islamike. Dhe plani që kishin u pa qartë, me protestat që u mbajtën në Iran, pasi disa nga ata tradhtarë erdhën në Iran për të protestuar. Agjentë armiq nisën të zbatojnë planin për të sabotuar, vrarë dhe për të shkatërruar si qeverinë ashtu dhe Kushtetutën tonë”, deklaroi lideri suprem Ajtalloahu Ali Khamenei.
Reagon Fatos Klosi
Lidhur me tensionet e krijuara mes SHBA-ve dhe Iranit dhe aludimeve që u krijuan se Shqipëria është e rrezikuar pasi ka strehuar armiqtë e shtetit iranian gazeta ju drejtua ish- kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. Ky i fundit u shpreh se Shqipëria nuk është e rrezikuar nga Irani dhe se muxhahedinët e strehuar nuk varen në shtetin shqiptar.
“Nuk ndiej se ne si Shqipëri kemi pozicion të veçantë për të qenë target i shënjestrave të Iranit, meqenëse kemi marrë dhe strehuar anëtarët e lëvizjes së rezistencës iraniane, pjesë e Organizatës Popullore të muxhahedinëve të Iranit, e njohur ndryshe si MEK. Shiko! Anëtarët e MEK janë në punën e tyre, janë atashuar në Shqipëri në një terren që e kanë ndërtuar vetë dhe mbrohen vetë. Kështu që, në këtë pikë nuk shikoj ndonjë problem. Problemi dhe rreziku më i lartë është në rajon dhe jo këtu tek ne. Madje, në këtë situatë mendoj se Irani nuk e ka mendjen tek Shqipëria dhe tek ata 3 mijë persona kundërshtarë të regjimit iranian që strehohen këtu”, tha ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi.
Ky i fundit foli edhe për deklaratën që bëri lideri suprem iranian Ali Khamenei. Klosi ripërsëriti që deklarata nuk ka të bëjë me vendin tonë dhe se nuk kanosemi nga rreziku. “Sa i takon deklaratave të liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei që ka sulmuar indirekt Shqipërinë, mendoj se është një propagandë e tij dhe bëhet për konsum të brendshëm. Nga kjo pikëpamje mendoj se deklaratat e liderit suprem janë propagandistike dhe nuk kanë të bëjnë aspak me Shqipërinë. Nga ana tjetër, dua të shtoj se anëtarët e MEK kanë siguri dhe nuk rrezikohen nga Irani. Duke u ndalur tek siguria e Shqipërisë, mendoj se nuk ka asnjë për t’u alarmuar dhe se shtetit është vigjilent. Kështu që, nuk ndiej se Shqipëria është përballë një rreziku që mund t’i vijë nga Irani”, përfundoi ai.