Qeveria ka nisur procedurat për rindërtimin e banesave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryeministri Edi Rama në datën 2 dhjetor kërkoi nga bashkitë e zonave emergjente që të vazhdojnë procesin e përcaktimit të tokave ku do të ndërtohen qytezat urbane, ashtu siç u paralajmërua, ndërsa dje, ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, sqaroi sesi do të veprohet për këtë procedurë, duke bërë të ditur se bashkive të prekura u është vendosur një afat. “Dua të theksoj gjithashtu për qytetarët para se të shpjegoj se çfarë janë këto vendime, që procesi konkret ka filluar që në 26 nëntor, ka vazhduar me akomodimin e gjithë qytetarëve humbën shtëpitë e tyre apo atyre shtëpitë e të cilëve u përcaktuan nga vlerësimi në vazhdim si të pabanueshme. Bonusi i qirave bën të mundur që të gjithë familjet dhe qytetarët deri në momentin e rikthimit në shtëpitë e tyre apo në shtëpitë që do të ndërtohen në bazë të programeve të rindërtimit, të kenë mundësinë e një shtëpie me qira dhe në datën 2 janar. Kryeministri ka kërkuar nga bashkitë në zonat e definuara si zona të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, të fillojnë procesin ligjor, të përcaktimit të tokave ku do të ndërtohen qytezat urbane. Brenda 15-20 ditë do të kemi të përcaktuar të gjithë territorin që është definuar si i dëmtuar nga tërmeti. Pra, të gjitha këto bashki, janë të detyruara brenda afatit të kërkuar nga Kryeministri, të sjellin në Këshillin e Ministrave të gjithë verifikimin dhe përcaktimin e tokave/truallit ku do të ndërtohen banesat individuale dhe qytezat urbane”, tha ministri.
Apeli i qeverisë
Ministri Ahmetaj pasi shpjegoi procedurën e rindërtimit të banesave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, u bëri thirrje qytetarëve të prekur që të aplikojnë në bashki. Ahmetaj e cilëson këtë si hallkën e parë të nisjes së punës për rindërtimin e banesave të rrënuara. “Është hera e parë që kemi një ligj të posaçëm për një situatë emergjente. Kemi procedurat përkatëse për programin e rindërtimit. Nesër ka një takim të posaçëm me kryetarët e bashkive, ku do të bëjmë një listë të familjeve që kanë humbur shtëpitë dhe që banesat e tyre janë vlerësuar si të pabanueshme ose banesa që kanë nevojë për rikonstruksion. Në bazë të vendimit, duke nisur nga nesër, kryetarët e bashkive duhet të ngrenë platformë aplikimi për qytetarët. Aplikimi do të jetë tepër i thjeshtë. Ju lutem, të gjithë familjarëve që banesat e tyre janë quajtur të pabanueshme ose të dëmtuara, të mund të drejtohen në institucione, ku do të bëhet financimi përmes njësive vendore ose entiteteve që do të autorizohen nga Këshilli i Ministrave. Ky është vendim shtyllë, sepse detyron të gjitha bashkitë që në bazë të tokave që do të caktojnë (ne kemi rekomanduar tokat shtetërore) për 30 ditë tokat ku do të ndërtohet. Pa këto, nuk kalohet dot tek rindërtimi. Ne nuk kemi lënë asnjë qytetar jashtë. Do të bëhen edhe rikonstruksione në bazë të dëmtimeve dhe do kemi garantë për këtë gjë”, deklaroi ministri Ahmetaj. Gjithashtu Arben Ahmetaj lajmëroi se nga plani i rindërtimit të banesave të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit, përfitojnë dhe banesat pa leje ndërtimi. “Rindërtimi, që nga shtëpitë tek pallatet apo qytezat urbane që do të ndërtohen dhe planifikohen në Bashki të ndryshme, të gjitha do të kenë bazën kushtetuese ku është e domosdoshme të shpronësohet. Aty ku ka ndërtime pa leje, shteti të marrë përsipër që ajo familje të përfitojë nga programi i rindërtimit, kundrejt kushteve të përcaktuara nga VKM. Komisioni i Rindërtimit, kemi bërë dy mbledhje, tani nëpërmjet vendimi detajohet funksioni i tij”, tha Ahmetaj.
Ornela Çelpica