Projekti “Nivica” u prezantua në konferencën e përvitshme të Institutit të Arkeologjisë Amerikane. Ky institucion shkencor më i vjetri në Amerikën e Veriut mbledh arkeologë dhe studiues nga e gjithë bota për të prezantuar projekte dhe kërkime me interes të rëndësishëm ndërkombëtar. Konferenca fundjavën e kaluar u mbajt u mbajt në ambientet e hotelit Renaissance Washington, DC, ku krahas një numri prezantimesh të projekteve ndërkombëtare u prezantua edhe “Nivica”. Projekti është një bashkëpunim shqiptaro çek i iniciuar dy vite të shkuara për të studiuar krahinën malore të Kurveleshit, një krahinë e jugut shqiptar midis Tepelenës dhe bregdetit. Ky projekt, i cili është pjesë e një projekti ambicioz për të rimëkëmbur këtë krahinë me potencial të madh turistik ka mundur të tërheq interesin e studiuesve dhe arkeologëve të Universitetit të Bernos dhe Universitetit të Karlit në republikën Çeke, të cilat sëbashku me bashkinë e Tepelenës kanë vendosur një bashkëpunim afatgjatë në fushën e trashëgimisë kulturore. Projekti “Nivica” është tashmë një model i suksesshëm jo vetëm i zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, por edhe si një mundësi e lidhjes së zonave bregdetare me ato malore për të krijuar një produkt unik turistik. Si pjesë e këtij vizioni janë edhe kërkimet dhe studimet historike të zonës, ku tashmë një inventar i siteve arkeologjike dhe monumenteve të kulturës janë hedhur në sistemin GIS, si bazë për të hulumtuar më tej rëndësinë e tyre historike. Prezantimi i projektit “Nivica” në një konferencë kaq të rëndësishme të arkeologjisë botërore është një fillim i mbarë për zbulime të mëtejshme me rëndësi në krahinën e Kurveleshit, e cila fsheh në gjirin e saj site arkeologjike me rëndësi ndërkombëtare. Nivica, gjithnjë e më shumë po tërheq interes nga vizitorët vendas dhe të huaj. Në tetor 2018 u bë me dije se edhe një ekip i “National Geographic Explorer” përzgjodhi projektin “Nivica” si pjesë e serive dokumentare të këtij televizioni, të titulluar “Vende që frymëzojnë”. Ekipi xhiroi në malësitë e thella të Kurveleshit për të dokumentuar jo vetëm jetën dhe natyrën e kësaj zone, por edhe përpjekjet që bëhen për të krijuar një model turizmi të bazuar në mbrojtjen e natyrës dhe vlerave historike.