Kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe, ka folur për herë të parë, një javë pas atentatit që iu bë në godinën e Bashkisë.
Tushe u shpreh për Fax News se më shumë se plagët fizike, e kanë lënduar ato që janë shkruajtur në media lidhur me këtë ngjarje të rëndë, e megjithatë tha se do të linte drejtësinë që të fliste në emrin e tij.
“Po patjetër që ndodhem në punë sot, kalova plagë të lehta, dëmtime të lehta, plagë më të rënda janë ato që shkruhen dhe thuhen në media. Drejtësia do të vendosë të thojë fjalën e saj për atë që ka ndodhur.
Unë u falenderoj për telefonatën, por do të jetë drejtësia që do të vendosë lidhur me të gjithë këtë. Nuk kam pasur kontakte me ish-shoferin tim prej shumë kohësh.
Ju lutem, siç iu thashë dhe pak më parë do të jetë drejtësia ajo që do të flasë për të gjitha, ju falenderoj dhe ju uroj një vit të mbarë”, mbylli komunikimin Tushe.
Atentati ndaj Tushes ndodhi të martën e 31 Dhjetorit, në zyrën e tij, ku mbeti e plagosur më rëndë dhe sekretarja e kryebashkiakut Erisa Qalliu.
Kujtojmë që granata është vendosur poshtë derës së kryetarit nga Gëzim Saraçi, dhe në momentin që Fatos Tushe ka hapur derën e zyrës ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm që plagosi kryebashkiakun dhe sekretaren e tij, Erisa Qalliu.
Sakaq, 45 vjeçari Gëzim Saraçi ka qenë shofer i kryebashkiakut të mëparshëm të Bashkisë së Lushnjës Albert Sanxhaku, dhe në kohën kur në detyrë ka ardhur Fatos Tushe, ai është larguar nga puna.