Inxhinieria Luljeta Bozo ka folur sërish sa i përket rreziqeve natyrore nga të cilat rrezikohen më së shumti ndërtesat në Shqipëri. Profesoresha Bozo u shpreh se më i frikshmi është tërmeti. Rreziqe të tjera, ajo renditi rrëshqitjet e dherave, përmbytjet dhe zjarret.
“Ne kemi shumë probleme, shumë rreziqe natyrore, më i frikshmi është tërmeti. Megjithatë pak a shumë dihet në Shqipëri kush janë zonat me aktivitet të lartë sizmik. Durrësi nuk duhet të zbrazet, por duhet të ndërtohet mirë. Rreziku i dytë janë rrëshqitjet e njëpasnjëshme. Ka mundësi që plani i rrëshqitjes të jetë 60 metra thellë, e nuk ka masë inxhinierie që e pengon atë. Rrezikun i përmbytjeve, pasi gjithë sistemi i kullimit, i prishëm të gjithë. I hoqëm gurët për të bërë shtëpi. Rreziku i fundit i zjarreve, që në shumë raste janë nga pakujdesia mos themi të qëllimshme por që prishin gjithë ekosistemet”, tha Bozo.