Mëngjesin e sotëm zona e ‘Don Boskos” u trondit nga një shpërthim më tritol, i cili ishte vendosur pranë pikës së transfertës monetare në pronësi të Përparim Kalbajt, që në 2018 u arrestua me akuzën e shpërndarjes së kokainës në Bllok, ndërsa tani është i lirë.
Sipas policisë, pika e transferimit të parave në ‘Don Bosko’ ndodhet në afërsi të banesës në pronësi të Kalbajt, që mësohet se është nga Tropoja.
Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale, pasi ishte vendosur në afërsi të murit rrethues të pikës së transferave monetare në pronësi të 47-vjeçarit. Dyshimet janë se tritoli ka qenë mesazh kërcënues për tropojanin. Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, sipas Report Tv. ai ka deklaruar: “Nuk kam pasur kërcënime më parë apo persona që mund të dyshoj si autorë të kësaj ngjarje”.
Në 16 shkurt të vitit të kaluar, ai u arrestua së bashku me tre persona të tjerë në një lloto sportive duke parë ndeshje në Bllok, ndërsa iu sekuestruan 277 gr kokainë. Llotoja sportive ndodhej në rrugën “Nikolla Jorga” dhe sipas policisë, të arrestuarit shisnin kokainë në sasi të vogla, tek persona të ndryshëm në zonën e Bllokut. Një vit më parë policia njoftonte se Përparim Kalbaj me tre personat e tjerë u akuzuan për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim.
“Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim” të parashikuara nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve Përparim Kalbaj, Aleks Kanaçi Azis Meta dhe Eri Brami”. Por Përparim Kalbaj tashmë është i lirë. Ai mësohet se më herët është lënë nga gjykata në masën e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa aktualisht është pa asnjë masë sigurie.
Përsa i përket shpërthimit, policia njofton se grupi hetimor, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Ndërkohë që janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve pranë pikë së transfertës për të shkuar në gjurmët e autorëve









































