SPAK vë në lëvizje RENEA-n për transportimin e dosjeve, qindra çështje të Krimeve të Rënda kalojnë në rrethe, fokus vetëm te korrupsioni e bandat

0
315

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka nisur lëvizjet për të sistemuar dosjet e lëna nga Krimet e Rënda. Janë mijëra çështje të Krimeve të Rënda dhe Prokurorive të rretheve që do të transferohen tek SPAK. Por po ashtu ka shumë dosje që Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kaluar në Prokuroritë e Shkallës së Parë. Por, sfidë e momentit mbetet transporti dhe për këtë SPAK i ka kërkuar Policisë së Shtetit ndihmë për të bërë transportimin e dosjeve nga kjo godinë, drejt prokurorive të rretheve. Kjo kërkesë e SPAK ka marrë përgjigje pozitive, pasi prej ditësh forcat e policisë me mjete të blinduara kanë dërguar dosje voluminoze e me përgjime në rrethe. Në këtë “aksion” janë përfshirë edhe forcat e repartit RENEA. Transportimi saktësisht është bërë në Prokuroritë e Durrësit, Elbasanit, Vlorës e Shkodrës, pasi në këto qytete është numri më i lartë i fashikujve që do të dorëzohen. Edhe dosjet për të cilat hetimet janë ende të hapura, që kanë përgjime voluminoze do të transportohen me masa të shumta policie. Një pjesë e dosjeve do të dorëzohen me postë sekrete. Pra kjo tregon se fokusi kryesor do të jetë vetëm te korrupsioni dhe grupet kriminale.

Dosjet që do të transferohen

Teksa Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Gjykata e Posaçme ka nisur funksionimin, ky institucion ka marrë nga Krimet e Rënda vetëm godinën dhe disa nga prokurorët. Lidhur me kompetencat, krijimi i këtij institucioni ka sjellë “trazira” në dosjet që janë në gjykim dhe në hetim, pasi në lojë janë futur edhe prokuroritë dhe gjykatat e rretheve. Pak ditë para shkrirjes, Gjykata e Krimeve të Rënda, mbylli bilancin e dosjeve, ku në përfundim kaloi 24 dosje në Gjykatën Antikorrupsion, ndërsa 37 të tjera do të transferohen në gjykatat e rretheve. Çështja e bujshme e grupit të Habilajve, Kokaina e Maminasit dhe krimet e kryera nga grupet kriminale do të gjykohen nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion. Gjithashtu, ky institucion do të gjykojë edhe çështjen e prokurorit të Gjirokastrës Spartak Cocoli, i akuzuar për veprën penale të korrupsionit të funksionarëve të drejtësisë. Gjykata e rretheve do të marrin 37 dosje që deri më tani po gjykoheshin në Krimet e Rënda. Dosjet që do të transferohen në rrethe janë kryesisht me akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve kryer nga individë, kultivimi narkotikëve dhe veprat penale të vrasjeve. Një nga çështjet më të bujshme që do të marrë Gjykata e Durrësit është ajo e Ahmet Ajetit. Ky i fundit tentoi të vrasë Lulzim Berishën në 2005. Ndërkohë në procedim penal janë plot 160 dosje, të cilat janë transferuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion. Dosjet në fjalë kryesisht po hetohen për veprat penale për korrupsionin deri në nivele të larta, si dhe grupet kriminale. Lidhur me çështjet e tjera që kanë të bëjnë me veprat penale si gjobëvënia, krimet, vrasjet në familje dhe kultivimi i lëndëve narkotike janë kompetencë e prokurorive të rretheve përkatëse, të cilat po transferohen që nga nisja e punës nga SPAK dhe shkrirja e Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Ornela Çelpica

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here