SPAK në skaner pushtetarët me pasuri të pajustifikuar, kallëzimet e ILDKP pritet të fundosin shumë zyrtarë të lartë

0
280

Struktura e Posaçme Antikorrupsion pritet që të shkundë nga themelet kalanë e korrupsionit në Shqipëri. Politikanë, drejtorë administrate, gjyqtarë, prokurorë dhe funksionarë të tjerë të ndryshëm janë zhytur në korrupsion dhe të gjithë ja kanë hedhur paq. Por shpresat janë se diçka do ndryshojë përmes SPAK dhe BKH. Në janar hapen dosjet e bujshme dhe në skaner do jenë edhe ata emra me pasuri sheikësh. Krimet e Rënda kanë rreth 900 dosje me hetime pasurore, shumica e të cilave janë për bandat kriminale, por të njëjtin fat pritet që të kenë dhe disa politikanë që janë paditur dhe ka pasur hetime ndaj tyre, por që nuk ka pasur hetim pasuror. Kryeprokurorja Arta Marku një vit më parë ka nxjerrë një udhëzim, ku detyronte të gjitha prokuroritë në vend që të kalonin te Krimet e Rënda të gjitha dosjet që kanë pasur ndër vite për korrupsionin, krimin e organizuar dhe çështjet në ngarkim të zyrtarëve të lartë. Gazeta ka mësuar se një pjesë e madhe e këtyre dosjeve që janë dorëzuar aty do të kalojnë te SPAK. Por mes tyre, ka dhe shumë dosje që janë për fshehje apo mosdeklarim pasurie nga politikanët në vend. SPAK do hetojë çdolloj akuze ndaj deputetëve, ministrave, zv/ministrave, kryebashkiakëve, apo dhe ish-funksionarëve të mësipërm. Sipas të dhënave, nga pasuria marramendëse rrezikohen shumë emra. Gazeta ka siguruar të dhëna mbi kallëzimet ndër vite të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, nga ata që kanë fshehur pasurinë, te ata që dyshohet se kanë nxjerrë jashtë të ardhurat. Bëhet fjalë për një listë voluminoze, ku një pjesë e madhe e emrave që janë aty mund të rihetohen nga SPAK, pasi hetimet janë mbyllur në mënyrë mistike nga prokuroria. Sipas të dhënave, të rrezikuar janë 11 deputetë dhe ish-deputetë. Gjatë dy ditëve të fundit ILDKP ka kallëzuar penalisht 6 deputetë për fshehje pasurie, dosjet e të cilave do kalojnë te SPAK. Mirëpo më herët janë kallëzuar dhe 5 ish-deputetë të tjerë, të cilat ja kanë hedhur paq. Bëhet fjalë për ish-deputetë të djathtë dhe 2 të majtë. Pas tyre të rrezikuar janë dhe 2 ish-kryetarë bashkie dhe një kryetar aktual bashkie, të kallëzuar po për fshehje pasurie. Në listë është dhe një zv/ministër aktual, i kallëzuar nga ILDKP një vit më parë. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here