“Ëndrra e një nate vere”, me motivin e dashurisë në skenën e Metropolit

0
325

“Ëndrra e një nate vere” nga Uilliam Shekspir erdhi me shfaqjet e fundit këtë vit në skenën e teatrit Metropol. Ishte vetë institucioni, që lajmëronte se kjo komedi vinte në netët e fundit në skenë këto ditë dhjetori. Komedia “Ëndrra e një nate vere” vepër e Shekspirit ishte premierë e këtij sezoni në këtë teatër. Me regji nga Arnela Demaj, në vepër interpretojnë Alba Shtembari, Aleksandër Mitrollari, Amri Hasanlliu, Bledi Naska, Edvin Mustafa, Engjëll Hoxha, Erdet Miraka, Ketjona Pecnikaj, Klea Konomi, Klodjana Keco, Luisa Dinellari, Margent Caushi, Mario Bali, Mariglen Domi, Rexhina Mollaymeri, Sara Koci, Sedmir Memia, Shkëlzen Berisha, Silva Brahimataj, Silvio Goskova, Stiv Osmanaj, Xhino Musollari. Skenografia nga Klodjana Beqiraj, kostumografia Frenci Gjerasi, koreografia Sedmir Memia, muzika/ fonia Glen Shutina. Tek “Ëndrra e një nate vere” derdhet një shpirt i pasur i trillimit fantastik ku bota magjike e zanave, muzgu dhe drita e hënës janë disa nga elementet e kësaj atmosfere përrallore. Në këtë vepër, motivi i dashurisë ka ardhur me të gjitha dimensionet e saj, me pasionin, me poezinë, me lirikën, me marrëzinë dhe me humorin e pasur. E shkruar ndoshta në vitin 1595 ose 1596, “Ëndrra e një nate vere” është një nga komeditë e hershme të Shekspirit, por mund të dallohet nga veprat e tjera të këtij grupi, duke e përshkruar si pjesë shoqëruese për ceremoni dasmash. Përmbajtja e veprës përqendrohet në tre ngjarje, përpjekjet dhe përvojat e dy çifteve të dashuruar në një pyll të magjepsur, bota e mbretit dhe mbretëreshës së zanave, si dhe një grupi zejtarësh të rëndomtë që përpiqen të vënë në skenë një pjesë të quajtur “Pirami dhe Tisba” për nder të dasmës së Dukës së Athinës. Hermia është e dashuruar me Lisandrin, por ati i saj kërkon ta martojë me Dimitrin. Për t’i shpëtuar kësaj martese të kurdisur, ajo dhe Lisandri arratisen në pyll. Dimitri i ndjek dhe Helena, që ushqen një pasion të pashpërblyer për të, e ndjek dhe ajo pas. Një katërshe dashurie zhvillohet midis të rinjve kur Paku qerrata luan rolin e Kupidit. Ndërkohë, një grup aktorësh amatorë bëjnë prova të një teatri të dështuar dhe shpejt jetët e tyre ndryshojnë nga veprat e Oberonit dhe Titanias, mbreti luftëtar dhe mbretëresha e zanave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here