Zbardhen të tjera vendime të miratuara ditën e djeshme në mbledhjen e qeverisë. Një nga vendimet e propozuara dy ditë më parë nga kryeministri Edi Rama ishte heqja e sporteleve për marrjen e dokumentacioneve, ku theksoi se marrja e formularëve të dekriminalizimit mund të merren online përmes aplikacionit e-Albania. Ky propozim u miratua dje gjatë mbledhjes së Kryesisë së PS. Në vendimin e bërë publik theksohet se të gjithë shtetasit që jetojnë brenda dhe jashtë vendit do të kenë mundësi të marrin dëshmi penaliteti nga Drejtoria e Burgjeve vetëm përmes aplikacionit, pa qenë nevoja të presin në radhë për disa ditë nëpër sportele. “Miratimin e formës dhe të elementeve përbërëse të certifikatës së gjendjes gjyqësore, të ofruar përmes shërbimit publik elektronik, në përputhje me legjislacionin që rregullon nënshkrimin elektronik, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, sipas variantit elektronik të shtojcave nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi si pjesë përbërëse e tij, përkatësisht: shtojca nr.1, për rezultatin “i dënuar”; shtojca nr.2, për rezultatin “i padënuar”. Certifikata elektronike e gjendjes gjyqësore lëshohet me nënshkrimin dhe/ose vulën elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Certifikata e gjendjes gjyqësore ofrohet përmes shërbimit publik elektronik për të gjithë shtetasit shqiptarë e të huaj, brenda dhe jashtë vendit, që janë të pajisur me kartë identiteti”, thuhet në vendimin e qeverisë. Kryeministri Rama u shpreh dy ditë më parë se një nga objektivat e qeverisë për vitin e ardhshëm është të mos ketë më sportele dhe të gjitha dokumentet online të sigurohen nga vetë shteti për qytetarët sipas problemeve që kanë. “Kemi një tjetër prioritet të rëndësishëm, shërbimet online. Kemi folur, sepse ky është një prioritet që do fillojë të hyjë në proces konkretizimi që në janar me një numër të madh shërbimesh që qytetarët nuk do jenë më të detyruar dhe nuk do e kenë më as të mundur të shkojnë në zyra, apo sportele, por do i bëjnë aplikimet online dhe me të renë që të gjitha dokumentet që qytetarët duhet t’i marrin nga institucionet e ndryshme shtetërore për të marrë një të drejtë, apo një licencë, apo autorizim apo një dokument do i garantojë vetë shteti. Këto shërbime do fillojnë në një masë të konsiderueshme në janar, në qershor vala e dytë dhe në 2020-ën do mbyllim përfundimisht të gjitha sportelet, duke mbyllur përfundimisht kanalet e ryshfetit, kanalet e radhëve, torturave të njerëzve në pritje të përgjigjeve nëpër sportele”, tha ai.