Festivali i Këngës në RTSH në edicionin e 58 duket se ishte zhgënjim për krijuesit. Në reagimet e tyre ata shprehen se ajo që u përcoll këtë vit në festival ishte jo vetëm shkelje e rregullave, por dhe krijimtari në tekste dhe muzikë që linte për të dëshiruar në një pjesë të këngëve. Ky festival ka ngjallur shumë reagime, ku autorë të ndryshëm janë shprehur kundër mënyrës se si u organizua. Kompozitorja Eriona Rushiti shprehet se në 57 vite më parë askush nuk guxoi të thyente rregulloren e festivalit, por këtë vit ndodhi. “Festivali i këtij viti theu të gjithë rregullat si e si për të nxjerr Arilenën, që dihet që ajo ka punuar vetëm me Darko Dimitrov, dhe për hir të saj u thyen të gjitha rregullta e festivalit, futja e autorësisë së huaj. Nuk ka guxuar askush, që ta thyejë këtë rregullore të festivalit. Në 57 vite ka qenë e paprekshme ajo pikë”, shprehet Rushiti. Për kompozitoren, Radio Televizioni Shqiptar ka përgjegjësinë për festivalin, sipas saj edhe orkestra u shfrytëzua shumë pak, por dhe tekstet e këngëve linin për të dëshiruar. “Me sa unë kuptova u shfrytëzua shumë pak orkestra dhe atëherë kur ndodhi u shfrytëzua si orkestër ahengu me ato lloj produksionesh, me turbo-folk. Por dhe me tekstet e këngëve në festival është një tmerr i vërtetë. Unë kam shkruar dhe më parë, që as një fëmijë i klasës së tretë nuk bën dot vjersha aq të shëmtuara. Unë jam shumë e zhgënjyer nga ky festival”, shprehet kompozitorja. Rushiti tregon se ndihet e revoltuar për gjithçka ndodhi këtë vit, duke shtuar se kundërshton dhe jurinë me anëtarë të huaj. “Për mua ky festival nuk ekziston, duhet fshirë që nga pranimi i autorësisë së huaj, që nga juria e përbërë me të huaj, që nuk ka pse të merret me krijimtarinë tonë. Nuk kemi pse ne të ftojmë të huaj për të vlerësuar krijimtarinë shqiptare. Jam shumë e zhgënjyer nga festivali. Për të mos thënë, që ishte një Alketa show, dhe këngët aq të pakta në numër plotësonin ato boshllëqet e Alketës”, thotë kompozitorja.
Jo festival privat
Për kompozitorin Endri Sina, çdo festival ka të mirat dhe minuset e veta. Për kompozitorin minuset e festivalit ishte futja e krijuesve të huaj. “Sigurisht që precedentë ka dhe nuk mund të mohohet, edhe Zvicra është paraqitur me Celine Dion apo Suedia u paraqit me kompozitorë anglez, por ndoshta ne nuk kemi ato kushte që të mënjanohet krijimtaria e vendit, aq më tepër që ne jemi pa mbështetje. Nuk jemi në ato kushte njësoj si një vend i përparuar, kështu që futja e krijuesve të huaj në këtë lojë mendoj se është e gabuar. E dyta prishja e rregullave të lojës, dhe rregullorja ka qenë me një kompozitor, një poet. Ka qenë një rregull i shkruar prej shumë vitesh dhe që është normale, sepse duhet të marrin pjesë sa më shumë veta. Nuk mund të kthehet në një festival privat, që vendos vetë pronarja”, pohon Sina. Në përfundim të edicionit të 58 të Festivalit në RTSH që u kundërshtua jo pak nga krijuesit, kompozitori Sajmir Çili shprehet se problemi nuk ka filluar këtë vit. “Problemi i festivalit nuk ka filluar me këtë festival, është më e gjatë dhe më e rëndë situata. Por sado të shkruhet në këtë vend, kush ka arrën dhe gurin bën ligjin, në çdo krah politik që ka udhëhequr RTSH. Askush nuk është më i mirë se tjetri”, thotë kompozitori. Me kritika kompozitori Miron Kotani shprehet se edicioni i 58 tregoi se nuk ishte festival i këngës shqipe. “Ky festival është i papranueshëm, për mua nul. Për herë të parë nuk kemi të bëjmë me një festival të këngës shqipe dhe si i tillë, po për herë të parë nuk mund të gjykohet mbi të. Nëse vitet e tjera e kishim të drejtën e fjalës për të bërë kritikë e shfaqur mendim, për herë të parë nuk e kemi më këtë të drejtë. Kjo pasi u futën kompozitorët e huaj dhe kjo e bën nul vetë festivalin. Nuk ishte më Festivali i 58 ashtu siç duhej të ishte, por Festivali i Parë Ballkanik organizuar në Tiranë”, shprehet Kotani. Ky festival u shoqërua me kritika që në fillimet e tij, por dhe përfundimi vijoi me kundërshtime.
Nga Julia Vrapi








































