Thellohen akoma më shumë përplasjet sa i takon miratimit të reformës zgjedhore. Ndryshimi i sistemit ka qenë shkaku kryesor që ka përplasur mazhorancën dhe opozitën. Kjo e fundit kërkon një sistem proporcional kombëtar, ndërsa shumica qeverisëse ka dalë kundër këtij ndryshimi. Ditën e djeshme u mblodh Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, ku opozita parlamentare paraqiti për herë të parë propozimin zyrtar, e cila konsiston në ndryshim të sistemit në sistem proporcional me lista të hapura. Por kundër këtij propozimi ka dalë Partia Socialiste, e cila deklaron se deri në 2022 Shqipëria do të ketë sistemin aktual. Bashkëkryetari Damian Gjiknuri në një reagim për media i bëri edhe ftesë të drejtpërdrejtë opozitës jashtëparlamentare që të marrë pjesë në diskutimet për reformën zgjedhore dhe të bëjë propozimet e veta. “Kuti të caktuara do të hapen për t’u riparë, kjo do të sjellë një transparencë të madhe ligjore. Këto kuti do të hapen pas përfundimit të procesit dhe kjo synon integritetin dhe një transparencë. Opozita solli një propozim dhe këtë do e bëjmë në një seancë të veçantë. Edhe aktorë të tjerë do të jenë të ftuar dhe do të bëjnë propozimet. Procesi do të shoshitet me kohë dhe të adresojmë çështjet të cilat janë kundër rekomandimeve të OSBE. Draftet e paraqitura për Kodin Zgjedhor janë ende teknike. Besoj se deri në vitin 2022 këtë sistem zgjedhor do të kemi. Vijojmë t’i qëndrojmë mendimit që opozita të sjellë propozimet dhe ne qëndrojmë të hapur. E presim PD dhe partitë e tjera të opozitës të vijnë. Çështja e sistemit është një çështje kushtetuese. Kemi dhe ne pretendimet apo propozimet edhe pse ky sistem në mendimin tim nuk është i keq”, tha Gjiknuri.
Opozita kërkon ndryshim sistemi
Ndërkohë dy deputetët e opozitës në Parlament, Myslim Murrizi dhe Halit Valteri i kërkuan zyrtarisht Kuvendit ndryshime në Kodin Zgjedhor, që përfshin edhe ndryshimin e sistemit në proporcional kombëtar me lista të hapura. “Kjo nismë ka për qëllim të përmirësojë zbatimin e rekomandimeve në fushat e përcaktuara në vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, për objektin e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm të Komisionit të Reformës Zgjedhore bazuar në disa problematika të vërejtura nga praktika zgjedhore lidhur me disa përkufizime dhe koncepte mbi: votimin me lista të hapura, modelin proporcional kombëtar të sistemit zgjedhor, llogaritjen dhe ndarjen e mandateve, pragun elektoral”, shkruhet në dokumentin e firmosur nga Myslim Murrizi dhe Halit Valteri.
Reagon Rudina Hajdari
Po ashtu, pas përfundimit të mbledhjes reagoi edhe deputetja e opozitës njëherësh bashkëkryetare e reformës zgjedhore, Rudina Hajdari. Në një prononcim për mediat, ajo tha se shqiptarëve u duhet një sistem zgjedhor i drejtë dhe që t’u garantojë atyre votën si dhe t’u jepet mundësia edhe partive të tjera që mund të krijohen në vend. “Në këtë proces do të gjenden mekanizma të tjerë. Kushdo që do të vjedhë votën, jo vetëm do të ndiqet penalisht, por do të shkojë edhe në burg. Kjo do të ngrejë besueshmërinë për të ruajtur votën. Ky takim ishte i vlefshëm për të shqyrtuar këtë kërkesë që ka ardhur nga BE, për të ndëshkuar ata që vjedhin votën. Në një takim tjetër do të kemi edhe shoqërinë civile dhe ajo do të thotë nëse ky draft do të riformatohet apo do të ketë ndryshime. Do i lëmë mundësi shoqërisë civile dhe partive jashtë parlamentare të shohin draftin. Duhet të kemi drafte të gjithëpranuara. Nuk duam që draftet mos të pranohen. Bëj thirrje që të vazhdojmë më këtë proces zgjedhor, që është i nevojshëm në Shqipëri, që t’i krijojmë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Hajdari.
Elisjeda Kiko












































