Thellohen mosmarrëveshjet, LDK kërcënon me kalim në opozitë, Vetëvendosje kritika për kërkesat e Mustafës

0
367

Është thelluar dje në Kosovë ndarja mes dy palëve më të mundshme për koalicionin e qeverisë së re, teksa LDK ka thënë se është e gatshme të shkojë në opozitë nëse nuk i pranohen kërkesat, ndërsa Vetëvendosje akuzoi për kërkesa të papranueshme. Pas një mbledhjeje të posaçme të këshillit të LDK, kryetari Isa Mustafa tentoi të dukej sa më stoik duke thënë se partia është e gatshme të qëndrojë në opozitë. “Ne nuk pranojmë asnjë mandat nga presidenti, nuk kemi opsion B. Nëse nuk arrihet marrëveshja me LVV-në, ne shkojmë në opozitë”, tha Mustafa. Ai shtoi se do të vazhdojnë takimet me LVV, drejt arritjes së një marrëveshjeje, në rast se janë të interesuar të krijojnë një koalicion të qëndrueshëm. “Ne do të vazhdojmë t’i përgjigjemi ftesës së LVV për takimet e ardhshme, vlerësojmë se në qoftë se do të ketë vullnet, mirëbesim, çështja e marrëveshjes mund të arrihet. Parimi që u tha në Këshill është se pjesë e marrëveshjes duhet të jenë të gjitha pozitat. Çështja e presidentit është një çështje që duhet të diskutohet sepse është një nga pozitat me të cilën do të sfidohemi gjatë kësaj periudhe, unë konsideroj që nuk duhet të jetë një çështje që domosdoshmërisht do të na bllokoj sepse është çështje e një mirëbesimi”, deklaroi Mustafa.

Vetvendosje dënon “urinë” e LDK

Pak pas deklaratës së tij është kundërpërgjigjur sekretarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila ka akuzuar LDK se po kushtëzon negociatat për koalicion me kërkesën për marrjen e gjysmës së qeverisë. “Mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm ata e përdorën për ta betonuar apetitin e tyre. Përveç që i duan zv. kryeministrin e parë, kërkojnë 5 ministri dhe gjysmën e programit, LDK do dhe kryeparlamentarin edhe presidentin. Pra, e duan gjysmën e qeverisë dhe gjithçka tjetër! Jo faleminderit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook. Ndërsa Albin Kurti u shpreh shkurtimisht nga një event se nga deklaratat e Isa Mustafës nuk ka dëgjuar asgjë të re. Ai nuk komentoi nëse beson se do të ketë marrëveshje mes dy subjekteve. Kurti këto komente i bëri në ceremoninë e dhënies së Çmimeve FIDES 2019, për të nderuar kontributin filantropik të individëve, organizatave dhe bizneseve në Kosovë dhe diasporë, madje u pa së bashku në një tavolinë me rivalen e zgjedhjeve të 6 tetorit, Vjosa Osmani.

Merkel dërgon zyrtarët e CDU për ndërmjetësim

Ndërkohë një ekip i dërguar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, i kryesuar nga njëri ndër njerëzit më të afërt, Peter Bauer, mbërrinte mbrëmë në Kosovë, dhe sot do të zhvillojë takime të ndara me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Dy partitë kanë konfirmuar se ky delegacion është nisur në Kosovë, me urdhër të kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe se kjo mund të jetë përpjekja e fundit që gjermanët do e bëjnë për të arritur koalicionin. Sipas agjendës së këtij ekipi të deleguar nga Merkel, bëhet e qartë, që në takimet e ndara me Kurtin dhe Mustafën, ata do të kërkojnë preraz që të ketë marrëveshje mes këtyre dy partive politike. Bayer, është një politikan me të kaluar të madhe në shtetin gjerman dhe njihet si njëri ndër personat më të afërm të kancelares Merkel. “Ata do të vijnë sonte vonë në Kosovë. Nesër do të ketë takime të ndara me kryetarin e VV-së Albin Kurti dhe të LDK-së, Isa Mustafa. Na është bërë e qartë që kjo do të jetë përpjekja e fundit dhe ultimatum i prerë nga zyra e kancelares gjermane, Angela Merkel, që të ndodhë koalicioni mes dy partive. Ky ekip do të vijë me ultimatum të qartë për të dy liderët që koalicioni LVV-LDK, duhet të ndodhë sa më parë dhe se nuk guxon që të ketë zvarritje të këtij procesi”, ka thënë ky burim.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here