Zhvillimet gjatë regjimit komunist, ja si Moska piketoi Pashalimanin si bazë detare pas vizitës së Zhukov dhe investimet në ishullin e Sazanit

0
382

Dalin të tjera detaje nga zhvillimet gjatë regjimit komunist. Mediat britanike i kanë kushtuar mjaft rëndësi kësaj periudhe dhe në disa artikuj jepen detaje se si Moska piketoi Pashalimanin për të dënuar bazën e nëndetëseve dhe investimet në ishullin e Sazanit.

10 gusht 1954

Hoxha nuk zbut dorën e hekurt në Shqipëri

Analistët në Londër besojnë se kontrolli komunist në Shqipëri nuk do të zbutet së shpejti megjithëse diktatori Enver Hoxha hoqi dorë nga posti i kryeministrit. Marrësi i postit Mehmet Shehu, ish-ministri i Brendshëm, konsiderohet si njeriu më i fuqishëm i Kremlinit në vend. Hoxha është sekretari i partisë dhe diktatura tashmë do të ndahet mes të dyve sipas sistemit të caktuar nga Rusia me qëllim ruajtjen e stabilitetit të regjimit. Me sa duket presion i konsiderueshëm është bërë ndaj Hoxhës për të lejuar këtë lëvizje pasi ai njihet që është një njeri që e adhuron pushtetin. Ashtu si shumë diktatorë të tjerë Hoxha është njeri i vogël, por shumë ambicioz.

 29 nëntor 1956

Arrestime masive në Shqipëri

Gazeta zyrtare jugosllave Borba raportonte sot se arrestime masive po kryhen në Shqipëri ndaj simpatizantëve të Jugosllavisë dhe se kampet e përqendrimit janë mbushur plot. Sipas një korrespondenti sekret nga Tirana, Borba shkruante se konferenca sekrete të Partisë Komuniste po mbahen në të gjithë Shqipërinë ku Jugosllavia sulmohet si armik dhe përçmohet me fjalët më të rënda. Disa nga të arrestuarit raportohet se janë dërguar menjëherë në kampet e përqendrimit. Të tjerë janë shkarkuar nga puna ose janë zhvendosur nga qendrat e mëdha në fshatra periferikë. Raporti thoshte më tej se: “Të gjithë në Shqipëri pyesin se deri ku do të arrijë kjo! Sakrifica të tjera e të përgjakshme duket se do të vijnë, të cilat ndoshta do të shënojnë një fazë të re në rrugën ku Hoxha e Shehu po e gremisin Shqipërinë”.

11 dhjetor 1956

Përshkallëzohet sherri i Titos me liderët satelitë

Presidenti Tito i Jugosllavisë ka nisur një sulm të ashpër ndaj liderëve “stalinistë” të vendeve satelite sovjetike, teksa gazetat e tij akuzojnë qeveritë e Shqipërisë, Çekosllovakisë dhe Bullgarisë se po përpiqen të ndalojnë tendencën drejt komunizmit të pavarur për t’u kthyer në diktaturën e stilit stalinist. Gjithashtu Tito ka thirrur ambasadorin e tij nga Hungaria pasi sipas tij, kryeministri kukull hungarez Janos Kadar lejoi rusët të marrin peng kryeministrin e pavarur komunist Imre Nagy. Linja e Titos kundër liderëve satelitë është më e ashpër se ajo e zakonshmja e këmbimit të ofendimeve me rusët. Tito duket se po e përqendron zjarrin e tij te udhëheqësit satelitë që kundërshtojnë frymën e liberalizimit, që po mbrohet dhe nga udhëheqësi sovjetik Nikita Krushov. Sipas raportimeve, Tito është i bindur se fraksioni i Krushov në qeverinë sovjetike do të triumfojë ndaj radikalëve si Vjaçeslav Molotov dhe grupi të tij, që mendojnë se politika e liberalizimit është e rrezikshme. Në sulmet e tij kundër stalinistëve, Tito e ka përqendruar “zjarrin” te kreu komunist Hoxha i Shqipërisë duke e akuzuar se po pengon tendencën e liberalizimit me burgosjet dhe ekzekutimet e shqiptarëve që shprehen ndryshe. Velimir Stojnic, anëtar i këshillit ekzekutiv të Titos denoncoi Hoxhën dhe ndihmësit e tij në një artikull të publikuar në “Politika” për shtypjen e çdo zëri disident. Tito po shkëmben gjithashtu replika me udhëheqësit “stalinistë” të Çekosllovakisë duke i akuzuar për rezistencë ndaj liberalizimit dhe duke shtrembëruar fjalët e fjalimeve të tij. Çekët nga ana e tyre akuzojnë Titon se po rrezikon lëvizjen botërore komuniste dhe po dobëson frontin e saj.

5 gusht 1957

Rusëve u kushton shtrenjtë mbështetja e Titos

Takimi mes liderit sovjetik Nikita Krushov dhe presidentit Tito të Jugosllavisë është një fazë e re në përpjekjet e Moskës për të joshur përsëri Titon në bllokun lindor, pas prishjes me Stalinin në 1948. Rusia kërkon mbështetjen e Titos në Evropën Juglindore dhe në Lindjen e Mesme si dhe me shtete të tjera neutrale. Përgjithësisht ata kërkojnë të minimizojnë efektin e kohëve të fundit për distancim ideologjik nga Moska, që përfaqësohet jo vetëm nga Jugosllavia, por dhe nga Gomulka në Poloni dhe Mao Ce Dun në Kinë. Por Tito kërkon të përfitojë maksimumin nga pozita neutrale mes dy kampeve. Ai po merr ndihma ekonomike e ushtarake nga SHBA dhe po bën tregti me BRSS ose me rekomandimin e BRSS dhe vendet satelite, duke pritur të përfitojë akoma më shumë nga tolerimet për BRSS. Për këtë Kremlinit ndoshta i duhet të sakrifikojë marionetën shqiptare Enver Hoxha, i cili ka treguar vazhdimisht armiqësi ndaj Titos, ose të paktën Moska do të detyrohet të urdhërojë Hoxhën të ulë retorikën e tij anti-jugosllave dhe të krijojë përshtypjen e marrëdhënieve normale. Nëse dëshiron ndihmën politike të Titos, Moska gjithashtu është e detyruar të urdhërojë satelitët e saj të tjerë të ulin tonet e kritikave sidomos Çekosllovakia. Me këtë rast rusët mund të krijojnë projekte për Ballkanin komunist siç është federata mes Bullgarisë, Jugosllavisë e Shqipërisë. Nëse arrijnë ta bëjnë këtë atëherë do të jetë një përpjekje e vërtetë për të bërë që Tito të heqë dorë nga pavarësia e tij në këmbim të një pozite të rëndësishme në bllokun komunist. Ka dy faktorë që ndikojnë te Tito në favor të Rusisë. Ai është një komunist dhe beson te komunizmi edhe pse ka rezerva prej eksperiencave negative të mëparshme me formën sovjetike të komunizmit. Por ndoshta tani pas spastrimeve të elementëve radikalë sovjetikë si Molotov e të tjerë, beson se gjërat po lëvizin në drejtim tjetër. Së dyti Jugosllavia ndodhet në Evropën Lindore, e cila kontrollohet nga rusët dhe është e rëndësishme ekonomikisht e politikisht, ndërsa Kremlini mund të bëjë që vendi të ketë marrdhënie miqësore me fqinjët e saj. Nuk ka dyshim se qeveria sovjetike mund të lërë prapa Perëndimin për joshjen e Titos, por nëse ai është aq i zgjuar sa duket, duhet ta dijë që nëse shitet, të shitet për një çmim sa më të mirë në tregun e Luftës së Ftohtë. Këto negociata me shumë gjasa do të marrin mjaft kohë.

28 tetor 1957

Vizita e Zhukov rrit prestigjin e Shqipërisë

Marshalli sovjetik Georgi Zhukov sapo mbylli turneun e tij ballkanik dhe çfarëdo efekti që ky të ketë pasur në karrierën e tij personale, sigurisht që ka rritur prestigjin e kryeministrit Mehmet Shehu dhe të sekretarit Enver Hoxha të Shqipërisë. Sateliti më i vogël i BRSS ka një popullatë prej 125.000 banorë dhe ndodhet në një pozitë strategjike lidhëse mes detit Adriatik dhe atij Mesdhe. Por që prej vitit 1945 kur u shpall Republika Popullore e Shqipërisë asnjë zyrtar i lartë sovjetik nuk e kishte vizituar Tiranën. Nuk njihen rrethanat që sollën vizitën, por BRSS nuk kishte sjellë zyrtarë në Shqipëri as në kohën kritike të prishjes me Jugosllavinë. Deti Mesdhe dhe ai Adriatik bashkohen në ngushticën e Otrantos, ku Brindizi dhe Vlora janë vetëm 100 milje larg. Gjiri i Vlorës bashkë me ishullin strategjik të Sazanit tre milje larg bregut, është fortesa natyrale më e mirë në bregdetin shqiptar dhe mjet i përkryer kontrolli i të gjithë trafikut që kalon mes dy deteve. Historia e saj është e pasur me shembuj të kërcënimeve për lëvizjen e lirë të mjeteve detare në lindje dhe në perëndim të Mesdheut. Në 1920 është nënshkruar një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë, ku e para i jep të dytës sovranitetin e ishullit të Sazanit, duke shënuar hapin e parë drejt pushtimit të vendit 19 vjet më vonë. Mes viteve 1920 deri në 1942 kur Aleatët e bombarduan Sazanin duke e bërë të pavlefshëm, Musolini nuk kurseu para për ta kthyer vendin shkëmbor prej 2.5 milje katrorë që vende-vende ngrihet deri në lartësinë 1000 metra, në një fortesë të mrekullueshme. Por asnjë zyrtar i fuqive Aleate nuk ka ngritur kundërshtime për nenin 28 të marrëveshjes së paqes me Italinë, ku thuhet: “Italia njeh ishullin e Sazanit si pjesë të pandashme të Shqipërisë dhe heq dorë nga të gjitha pretendimet”. Kur Tito u bë palë me Moskën vit më vonë, inxhinierët sovjetikë nuk humbën kohë për të ringjallur fortesën e Musolinit në një bazë moderne detare, me shpella natyrale që ekzistojnë pranë brigjeve. Njëra prej tyre njihej nga gjermanët si shpella e Pashalimanit, e cila mund të përshtatet si mbajtëse e disa nëndetëseve. Duket gjithashtu se barriera shkëmbore poshtë sipërfaqes së ujit që shtrihet në grykën e gjirit, është shpërthyer për të krijuar kanale kalimi të nëndetëseve të masës së mesme. Terreni malor i bregdetit është përgatitur për platforma lëshimi raketash dhe gjithashtu impiante radarësh janë shpërndarë në to. Luftanijet ruse si nga zonat Balltike dhe nga deti i Zi janë pikasur që hyjnë në Mesdhe drejt Shqipërisë si nga ngushtica e Gjibraltarit dhe nga ajo e Dardaneleve, që prej krizës së kanalit të Suezit vitin e kaluar, ndërsa sigurisht që nuk dihet numri i nëndetëseve që kanë kaluar në Otranto. Gjatë vizitës së tij tre-ditore në Shqipëri, pas nëntë ditëve në Jugosllavi, Zhukov mund të ketë informuar Hoxhën e Shehun se Jugosllavia nuk do të krijojë më probleme për Shqipërinë. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here