Ka nisur në Gjykatën e Durrësit seanca gjyqësore për nëntë personat e arrestuar pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit, pasi dyshohet të jenë përgjegjës të pasojave të tmerrshme me 51 jetë të humbura dhe shkatërrime të mëdha.
Gjykata pritet të japë masën e sigurisë për të arrestuarit, teksa Prokuroria e Durrësit ka kërkuar masën “arrest me burg”.
Nëntë personat e arrestuar në Durrës dyshohet se janë përgjegjës për shembjen e ndërtesave në qytetin bregdetar, ku mbetën të vdekur 23 persona, ndërsa pjesa tjetër e viktimave u shënuan në Thumanë, një tjetër zonë e shkatërruar nga tërmeti.
Mes të arrestuarve janë edhe drejtues të institucioneve lokale, zyrtarë, pronarë, ndërtues, specialistë dhe hartues projektesh.
Ndërkaq, dy prej tyre, Nevjana Isufi, hartuese projektesh fiktive, si dhe Avdulla Osmani, ndërtues informal, nuk kanë qenë të pranishëm në sallë dhe janë përfaqësuar nga avokatët të cilët kanë deklaruar se klientët e tyre janë në gjendje të rënduar shëndetësore në spital.
Arben Isaku, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës,
Klajdi Lame, në cilësinë e inspektorit të INUK Durrës, në objektin pallat 6- katësh,
Albrend Qetka, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh,
Kujtim Hasa, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme,
Ahmet Doda, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme,
Rruzhdi Xheka, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”,
Avdulla Osmani, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në mënyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”,
Defrim Celami, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh,
Nevjana Isufi, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive.