Pas vendimit për të shembur 3 godina në Qytetet Studenti dhe 10 bujtina në Universitetin Bujqësor, mësohet se është marrë vendimi për të shembur edhe konviktet pranë Universitetit të Mjekësisë.
Dy prej tyre rezultojnë të mos e kenë kaluar klasën pas tërmetit që dëmtoi qindra pallate, kryesisht të vjetra, në kryeqytet. Ekspertizat e para janë bërë tashmë, por pa një vendim definitiv nëse këto godina janë apo jo të banueshme.
Përpara ekspertizës finale, është kërkuar që studentët të zbrazin godinat, me qëllim për të bërë një vlerësim më të detajuar në brendësi. Shqetësimi është bërë publik nga studentët, të cilët kanë paguar për një vit të plotë dhe tashmë duhet të gjejnë mjedise alternative strehimi deri në përfundimi e vitit akademik.
Gjithsesi, drejtoria e konvikteve të Mjekësisë është zotuar të strehojë përkohësisht studentët pranë ambienteve të tjera brenda rezidencës studentore nr. 2, me qëllim që të mos ketë më vonesa në mësime. Kjo qendër ka nën administrim tetë godina, dy prej të cilave, ajo nr. 3 dhe 4 që ndodhen buzë rruge, janë problematike dhe rrezikojnë shembjen.