Avokati Spartak Ngjela nëpërmjet një postimi në Facebook ka komentuar situatën në të cilën ndodhet vendi pas tërmetit të 26 nëntorit që na la pas 52 viktima.
Nisur nga denoncimi që u bë mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Top Story’ për ndërtuesit e përfshirë në aferën korruptive të pallateve të shembura, Ngjela shkruan se tani është radha e prokurorisë së Durrësit për t’i dhënë goditjen e fortë korrupsionit.
‘Nëse prokuroria do të anojë kah drejtësia, Plazhi i Durrësit, Durrësi dhe Thumana do të jenë epiqendra e fillimit të punës për çendjen e parzmores së korrupsionit të lartë shqiptar, të lidhur me mafien e ndërtimit.”, shkruan Ngjela.
Postimi i plotë:
Top Channel mbrëmë, në programin Top Story, denoncoi me fakte dhe me guxim qytetar patriotik mafien e ndërtimit të lidhur me politikën shqiptare, për krimin e saj, që solli vdekjen e 51 personave dhe tmerrin e një tragjedie shqiptare. Ishin tre ish deputetë të Partisë Socialiste të përfshirë në këtë aferë ndërtimore mafioze në Plazhin e Durrësit.
Top Channel tregoi mbrëmë se patrioti Dritan Hoxha nuk ka vdekur.
Po prokuroria, nga do anojë, nga krimi apo nga drejtësia?
l
Tani është e qartë se kush i vrau shqiptarët. Por ende nuk shihet një dritë në fund të tunelit në lidhje me shërimin e shpejtë të kësaj gjendjeje tepër të rëndë për shqiptarët.
Nga kjo që shqiptarët nëpërmjet Top Channel-it panë mbrëmë me fakte për tërmetin tragjik në Shqipëri, kuptohet se gjendja ekonomike do të vijojë të rëndohet.
Erdogani dhe Rama, pasi mbaruan aeroportin e Vlorës, do të na ndërtojnë 500 apartamente për të dëmtuarit e tërmetit. (!)
Asgjë.
Kurse në Top Channel u transmetua me fakte në emisionin Top Story mafia e ndërtimit në Durrës. Vrasje dhe dëmtim i madh njerëzor si bashkëpunim i mafies së ndërtimit me korrupsionin e lartë shtetëror.
Po prokuroria çfarë po bën?
ll.
Gjëja më e rëndë mbetet fakti që qeveria Rama nuk ka para për emergjencë. Dhe prandaj vjen vërdallë si cjapi nëpër shkretëtirë.
Në çdo vend të Europës kjo është vepër penale. Nga kuptohet që kryeministri shqiptar nuk ka krijuar fond ligjor për emergjencat?
Rama ende nuk ka deklaruar sa para ka për dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Por, ende nuk ka denoncuar firmat e ndërtimit që kanë abuzuar, dhe si ka qenë e lidhur politika me mafien e ndërtimit. Po tani që i denoncoi Top Channel, ç’do të bëjë? Gjithsesi, në këto momente është prokuroria autoriteti që duhet të flasë edhe për tre ish deputetët e Partisë Socialiste, të cilët Top Story i nxori me emrat e plotë.
lll.
Denoncimin faktik e bëri Top Channel. Bravo i qoftë! Ky stacion e tregoi që është ngritur për shqiptarët dhe për patriotizmin shqiptar, ashtu siç e themeloi patrioti i madh shqiptar, Dritan Hoxha, kur më tha: “dua të ngre frymën patriotike të shqiptarizmit me këtë televizion”.
Kurse Rama tani po provon se kërkon të mbrojë krimin e madh që ka ndodhur. Por, e ka të pamundur. Gjithçka do të dalë në dritën e diellit.
Kot lodhet Rama me përvuajtjen qesharake që po tregon, nuk e arrin dot fshehjen e këtij krimi të madh.
Tërmeti i 26 nëntorit mbylli sak etapën kryesore të korrupsionit shtetëror, dhe po hap etapën e drejtësisë së re në Shqipëri.
Tërmeti me dëmet që shkaktoi në ndërtesat abuzive, i dha mundësinë e plotë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme me këtë rast të pastër juridik, që të fillojë procesin penal për të çendur parzmoren e blinduar të korrupsionit të lartë shqiptar.
Çfarë do të ndodhë?
Nëse prokuroria do të anojë kah drejtësia, Plazhi i Durrësit, Durrësi dhe Thumana do të jenë epiqëndra e fillimit të punës për çendjen e parzmores së korrupsionit të lartë shqiptar, të lidhur me mafien e ndërtimit.
I gjithë pylli i pishes që qarkonte tërë bregdetin e bukur të Golemit, ka qenë pronë shtetërore. Kjo është thembra Akilit. Cili nga kryeministrat ia dha këtë perlë të bregdetit shqiptar mafies së ndërtimit? Dhe, cila është lidhja kriminale midis kryeministrave dhe ndërtuesve mafiozë në Golemin e shkatërruar ligsht.
Këtu duhet të fillojë gjithçka.
Kur do të fillojë të ndihet realisht me forcën e ligjit Prokuroria e Durrësit?