“Vetting lejeve të ndërtimit!”, Ruçi e hap Kuvendin me paralajmërimin e fortë: Të thërrasim ekspertët nga tërë bota! (Ka një thirrje të rëndësishme edhe për opozitën)

0
297

Pasi gjithë të pranishmit mbajtën një minutë heshtje në fillim të seancës plenare, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shpreh se ka ardhur koha për një vetting të thellë për të vlerësuar aftësitë dhe lejet për të ndërtuar. E ndërsa i bëri apel opozitës jashtë parlamentare që të bashkohen përballë kësaj fatkeqësie, ai tha se u ka kërkuar të gjithë homologëve të tij europianë, por edhe nga SHBA deri në Japoni mbështetje financiare për të rindërtuar zonat e prekura nga tërmeti.

“Do të vlerësoja përgjegjësinë, masat dhe impenjimin e qeverisë si dhe për parapërgatitjet dhe përgatitjet për t’u dhënë zgjidhje problemeve. Unë do të falenderoja të gjitha palët, përfshirë edhe opozitën parlamentare dhe jo parlamentare që dhanë shenjat duke vendosur para interesat e qytetarëve. Të vijohet me një bashkëpunim të plotë politik.

U bëj thirrje palëve që të ndjemë apelin e familjeve të viktimave, të lënduarve dhe atyre që mbetën pa strehë dhe të bashkëpunojmë për t’u lehtësuar dhimbjen atyre. 26 nëntori duhet të na zgjojë si diçka që nuk e kemi bërë mirë. Legjislacioni mbi ndërtimet, ujërat, fatkeqësitë natyrore nuk është e përsosur. Mbi mjaft çështje kemi mjaft probleme. Instrumentet që përdoren për të zbatuar ligjet që kemi miratuar. Tërmeti na vërtetoi se kemi nevojë për një vetting të thellë për të vlerësuar aftësitë dhe lejet për të ndërtuar.

 Të verifikojmë nuk është punë e lehtë, pasi kërkon kohë, por unë mendoj se duhet të nisim të mendojmë për këto gjëra për të marrë masa sa më shpejt. Kuvendi duhet të marrë detyrën për rishikimin e ligjeve, të thërrasin ekspertët tanë dhe nga bota. Të rrisim shkallën e kapacitetit mbrojtës ndaj fatkeqësive natyrore. Ju informoj se si kryetar i Kuvendit u kam shkruar të gjithë kryetarëve të parlamenteve europianë dhe Senatit të SHBA, nga Kanadaja në Japoni për ndihmën bujare dhe për t’u kërkuar mbështetje financiare për zonat e prekura nga tërmeti. Jam i bindur se mbështetja nuk do të mungojë”, u shpreh Ruçi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here