Në një lëvizje që pritet të vështirësojë më shumë arritjen e kompromisit mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ashtu si më herët përfaqësuesi i tij për Kosovën Marko Gjuriç, e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut, pasi Gjykata në Prishtinë ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviç. “Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker, një mashtures”, tha Vuçiç para gazetarëve, raporton b92.
Sot, gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviç. Ai është gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin e kaluar me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999 ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Në korrik të këtij viti, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviç për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes. Sipas Prokurorisë Todosijeviç në cilësi të Ministrit me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.