Rama-Basha më pranë njëri-tjetrit, kreu demokrat urdhër strukturave të ndalin sulmet ndaj qeverisë, PD pjesë e “Komitetit të Rindërtimit”

0
457

Tërmeti i 26 nëntorit që la pas një tragjedi të madhe duket se ka nxjerrë në pah dashurinë Rama-Basha. Gazeta e ka deklaruar se kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po japin sinjale për një marrëveshje të dytë si ajo e 17 majit të dy viteve më parë. Ndërkohë që ditët e fundit kryedemokrati dhe shefi i qeverisë kanë flirtuar hapur me njëri-tjetrin. Dy ditë më parë i pari i qeverisë ka shpërndarë një në rrjetet sociale, një status të kreut të PD, i cili në thelb ishte mesazhi i fortë për bashkim duke lënë mënjanë ndasitë, në këtë kohë të vështirë që po kalon vendi ynë. Ndërsa dje kryeministri Rama teksa po fliste në mbledhjen e qeverisë, theksoi se mirëkupton opinionin e Bashës dhe se ndan të njëjtin shqetësim me të që Laçi të përfshihet në gjendjen e jashtëzakonshme. “Mirëkuptoj opinionin e kryetarit të opozitës, se Laçi përfshihet në këtë perimetër, them se na përputhen shqetësimet dhe idetë. Ne sot duhet të përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program”, deklaroi ai. Rama-Basha më pranë njëri-tjetrit Pra, të gjitha këto lëvizje tregojnë qartë se Rama dhe Basha janë më pranë njëri-tjetrit. Kjo pasi kërkesa që gjendja e jashtëzakonshme të shtrihej edhe në Laç ishte artikuluar edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, por që nuk u mor parasysh nga kryeministri Rama, i cili në mbledhjen e djeshme të qeverisë citoi vetëm kryedemokratin Basha, duke e vlerësuar. Nga ana tjetër, faktin që Rama dhe Basha janë më pranë njëri-tjetrit e tregon edhe retorika politike e artikuluar së fundmi. Mazhoranca ka shtuar dozën e sulmeve dhe akuzave në adresë të kreut të shtetit, ndërsa i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Partisë Demokratike, sa i takon reformës zgjedhore. Kjo do të thotë që pasi të qetësohet situata, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste pritet të shkojnë drejt një marrëveshje për reformën zgjedhore. Ndërkohë, elementi i tretë që Basha dhe Rama janë më pranë njëri-tjetrit është fakti se zyrtarë të PS dhe PD kanë paralajmëruar se mund  të kemi zgjedhje të parakohshme, duke treguar se kemi një unifikim mes dy liderëve. Basha urdhër strukturave të ndalin sulmet ndaj qeverisë Por sinjale se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste janë më pranë njëra-tjetrës dhe se ka një “armëpushim” mes tyre, ka dhënë edhe vetë kryedemokrati Lulzim Basha. Mësohet se ky i fundit ka urdhëruar strukturat e PD të ndalin sulmet ndaj qeverisë, ndërsa iu ka kërkuar të zbresin në terren dhe të mbajnë kontakte me qytetarët e prekur nga tërmeti për të evidentuar nevojat e tyre. “Qëllimi nuk është të përdorim politikisht fatkeqësinë e madhe që na ka ndodhur, por t’i vijmë në ndihmë qytetarëve, prandaj duhet të shmanget çdo dalje publike apo reagim personal në Facebook/ Twitter, që mund të merret si përdorim politik i fatkeqësisë. Dëmet apo problematikat, dokumentohen dhe evidentohen (me video, foto, dëshmi), por nuk bëhen publike në mënyrë individuale. Ato raportohen tek Koordinatorët për secilën bashki dhe këta të fundit më pas, në konsultim me Kryetarin e Partisë dhe/ose Sekretarin e Përgjithshëm, vlerësojnë sesi do të trajtohet çështja”, deklaroi Basha. Basha dhe Rama injorojnë presidentin Por duket se përmes këtij unifikimi dhe flirteve të ditëve të fundit, Rama e Basha synojnë të injorojnë presidentin Ilir Meta. Ky i fundit është lënë në hije gjatë këtyre ditëve të tragjedisë, duke bërë që të përdorë politikisht situatën, sikur ishte rasti i të enjtes në mbrëmje gjatë një interviste për një media kosovare, hodhi akuza në adresë të mazhorancës, duke pretenduar se qeveria nuk po merr masat e nevojshme për të përballuar situatën. Po ashtu, presidenti Meta është injoruar nga instancat e shtetit edhe sa i takon zbritjes së tij në terren, pasi të vetmet kontakte që ka pasur kreu i shtetit kanë qenë me palën kosovare, sikundër ishte shfaqja dje në krah të kryeministrit kosovar në largim, Ramush Haradinajn./Rigels SELIMAN 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here