Dëmtimet nga tërmeti, Ministria e Kulturës ndalon hyrjen në dy kala

0
394

Pas tërmetit ndalohet hyrja e vizitorëve në kalanë e Krujës dhe te ajo e Prezës. Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë lajmëron se tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të rënda në monumentet e kulturës së zonës, sidomos në kalanë e Prezës dhe të Krujës. “Hyrja në këto kala është rreptësisht e ndaluar në radhë të parë për të garantuar jetën tuaj dhe për të mos dëmtuar më shumë monumentet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës. Në njoftimin e saj, ministria shprehet se nuk mban përgjegjësi kush nuk zbaton këtë udhëzim. “Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë, nuk janë përgjegjëse për çdo pasojë nga thyerja e këtij udhëzimi. Ruajeni jetën tuaj. Ju falënderojmë për mirëkuptimin”, thuhet në njoftimin e ministrisë. Bazuar në të dhënat historike, kalaja e Durrësit është e shekullit të V-të. Kalaja u ndërtua nga perandori i perandorisë Bizantine. Kalaja e Krujës, e njohur për vlerat e saj në trashëgiminë kulturore, është ngritur në një kodër shkëmbore. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 m, zë një sipërfaqe prej 2.5 ha tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore. Gërmimet arkeologjike të vitit 1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek e III p.e.r. ndërsa kalaja është ngritur në shek. V-VI e.r. Pranë saj është zbuluar një varrezë e madhe e kulturës arbërore. Përmendet me emrin e sotëm në shek e IX bashkë me qytetin e Krujës si qendër peshkopale. Në shek XIII-XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut u bë krye-fortesa e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman. Në kalanë e Prezës, kemi katër faza të ndryshme ndërtimi. Periudha e parë lidhet me fortifikim e kalasë, e dyta lidhet me rindërtimin e mureve rrethuese, e treta ka të bëjë me ndërtimet që janë bërë brenda mureve rrethuese, kurse faza e katër lidhet me ndërtimin e një kulle sahati që nuk ka të bëjë me sistemin fortifikues, por i përket një periudhe të mëvonshme. Për dëmtimet që kanë pësuar këto kala, më herët kanë reaguar dhe specialistë të njohur të trashëgimisë kulturore, që kanë kërkuar të ngrihet një grup ekspertësh për të parë dëmtimet dhe për të përcaktuar ndërhyrjet. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here