Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur t’i japë fund tentativave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të zvarritur procesin për shkak të konfliktit të interesit. Kohët e fundit shumë gjyqtarë dhe prokurorë kanë kërkuar përjashtimin e trupës gjykuese me justifikim se kanë konflikt interesi. Për pasojë në shumë raste është zvarritur procesi i vetingut, duke bërë që kjo lëvizje të shihet si e qëllimshme dhe me skepticizëm nga organet e vetingut. Kështu, ditën e djeshme KPK ka zhvilluar një mbledhje, ku ka marrë një vendim pikërisht për këtë çështje. Përmes një njoftimit të publikuar në faqen zyrtare, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thekson se ka vendosur të ngrejë një grup pune special për konfliktin e interesit. Sipas asaj që thuhet në vendim, kjo trupë gjyqësore do të jetë në gatishmëri dhe do të kryejë funksionet e trupës gjyqësore të KPK, në rastet kur një gjyqtar dhe prokuror kërkon përjashtimin e një anëtari apo trupës gjyqësore. “Nisur nga kërkesat e përsëritura të rivlerësimit për përjashtimin e trupit gjykues për shkak të konfliktit të interesit si rrjedhojë e thirrjes në seancë dëgjimore bazuar vetëm në një ose dy kritere vlerësimi, në përpjekje për të shmangur çdo zvarritje të mundshme të procesit, si dhe për ekonominë gjyqësore, duke marrë në konsideratë edhe mendimin e vëzhguesve ndërkombëtarë, Komisioni vlerëson si të nevojshme ngritjen paraprakisht të një trupi gjykues për të marrë në shqyrtim menjëherë kërkesat e mundshme të kësaj natyre”, thuhet në vendim. Pra, kjo trupë speciale jo vetëm që është ngritur me mbështetjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, por synimi i saj është që të eliminojë zvarritjen e procesit të vetingut në kësisoj rastesh.
Trupa speciale do të vihet në lëvizje menjëherë
Por interesant është fakti se në vendimin e tij, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bën me dije se trupa speciale do të vihet menjëherë në lëvizje sapo një gjyqtar apo prokuror do të kërkojë përjashtimin e trupës gjykuese për shkak të konfliktit të interesit. Sipas asaj që thuhet në vendim, trupa speciale do shqyrtojë pa humbur kohë procesin, duke zëvendësuar kështu trupën e përjashtuar. “Pas diskutimeve, bazuar në ligjin nr.84/2016, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi: Ngritjen rast pas rasti të një trupe gjykuese për shqyrtimin e kërkesës së mundshme nga subjekti i rivlerësimit për përjashtimin e trupit gjykues dhe/apo anëtarit relator për shkak të konfliktit të interesit si rrjedhojë e thirrjes në seancë dëgjimore bazuar vetëm në një ose dy kritere vlerësimi; Ngritja e trupës gjykuese që do të shqyrtojë kërkesën, bëhet një ditë pas seancës dëgjimore të njoftuar, pas njoftimit të Komisionit nga kryesuesi/relatori i trupës gjykuese; Afati i trupës gjykuese të ngritur me short fillon me administrimin e kërkesës së subjektit të rivlerësimit dhe përfundon me dhënien e mendimit të arsyetuar”, thuhet në vendimin e KPK.
Ja disa nga rastet që kërkohet përjashtimi i trupës
Kërkesa për përjashtimin e trupës gjykuese, duket se është kthyer në modë gjatë kohëve të fundit nga shumë gjyqtarët dhe prokurorë që po hetohen nga vetingu. Të shumtë janë rastet e kësaj natyre, ndërkohë që rasti më i freskët është konsumuar nga prokurori i Prokurorisë së Lezhës, Simon Pashuku, i cili arriti të shtyjë seancën dëgjimore të premten më datë 15 nëntor duke kërkuar përjashtimin e trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Xhensila Pine. Pashuku u shpreh se e konsideronte trupën të njëanshme për shkak se i ishte refuzuar kërkesa për riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Me këtë pretendim, Pashuku kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese. Kjo e fundit u tërhoq dhe vendosi shtyrjen e seancës dëgjimore pa afat, deri në shqyrtimin e kërkesës së prokurorit Pashuku nga një tjetër trupë gjykuese.
Rigels Seliman