Zbardhen përplasjet Meta-Basha, presidenti akuza kreut të PD se po fundos LSI, sulme të forta për braktisjen e 13 tetorit dhe djegien e mandateve

0
323

Plas sherri mes presidentit Ilir Meta dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Edhe pse vizita që Basha dhe aleatë e tij zhvilluan në Presidencë ditën e martë u pa si një shenjë se presidenti dhe opozita janë bërë bashkë, mësohet se marrëdhëniet nuk janë dhe aq të qeta. Gazeta ka mësuar detaje të plota mbi gjithë takimin e Metës me përfaqësuesit e partive opozitare dhe ka pasur debate e përplasje midis tyre. Një burim nga takimi u shpreh për gazetën se Meta ka lëshuar një valë të madhe kritikash ndaj Lulzim Bashës. Presidenti, tha burimi, ishte mjaft i revoltuar me sjelljet e kreut demokrat dhe nuk është kursyer përballë tij. Së pari Meta ja ka bërë të qartë se ka mbetur shumë i zhgënjyer me vendimin për të djegur mandatet. Ai i ka thënë Bashës se vendimin për një akt të tillë e ka marrë pa u konsultuar me LSI apo Monika Kryemadhin. Po ashtu, ka deklaruar se për një akt të tillë ekstrem duhej të ishte konsultuar dhe me të. “Së pari duhej të kishte konsultim me mua, pasi ata deputetë atje i futa unë dhe jo Monika”, mësohet të jetë shprehur Meta. Po ashtu ai është shprehur më tej se nga djegia e mandateve dhe braktisja e zgjedhjeve është LSI partia që po humbet më shumë.

Zgjedhjet

Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë ajo e zgjedhjeve vendore. Presidenti është shfaqur mjaft i zhgënjyer nga qëndrimi i Lulzim Bashës, duke e akuzuar këtë të fundit se e la vetëm në betejën për shtyrjen e zgjedhjeve. Meta, mësohet se ka deklaruar se dekreti doli pikërisht që t’i jepej mundësi opozitës të merrte pjesë në zgjedhje, por PD e refuzoi 13 tetorin. Sipas Metës kjo sjellje ishte e gabuar. Burimi nga takimi i tha gazetës se Meta ka arritur deri aty sa i ka thënë Bashës se nuk di të bëjë opozitë. Madje është shprehur se nuk po bën dot as sa 10 për qind të Berishës në krye të PD. Një tjetër kërkesë e Metës ndaj Bashës ka qenë që tani e tutje të dalë në mbështetje të tij. Meta ja u ka bërë të qartë të pranishmëve se shumë shpejt do të dalë me një propozim për të mbajtur një referendum. Nuk dihet fiks se për çfarë do jetë ky referendum, por mësohet se presidentit ka kërkuar garanci nga opozita dhe PD që ta mbështetin idenë e tij. Çështja e fundit ka qenë ajo e zgjedhjeve të parakohshme. Meta ka deklaruar se opozita duhet të deklarojë se shkon në zgjedhje të parakohshme pa kushte dhe të kërkojë vetëm një palë zgjedhje fillimisht. Pasi nëse i fiton ato, e ka kokën lart të kërkojë zgjedhje të tjera.

Basha kundër

Burime nga takimi në Presidencë i thanë gazetës se Basha ja ka bërë dhe një herë të qartë Metës se nuk do të tërhiqet nga kushtet. Ai është shprehur se i janë vënë 5 kushte në tavolinë Ramës dhe pa u plotësuar ato nuk ka dialog. Po ashtu ka deklaruar se PD është për zgjedhje të parakohshme si vendore ashtu dhe të përgjithshme. Basha është shprehur se një tërheqje nga kauza do e dëmtonte shumë PD dhe nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Mbetet të shihet se si do të jetë qëndrimi në ditët në vijim, por gazeta ka mësuar se janë rritur presionet ndaj Bashës dhe nga Sali Berisha. Ky i fundit po ushtron presion që PD të jetë në mbështetje të Metës si për çështjen e Kushtetueses, ashtu dhe për krizën politike. Sa i takon Kushtetueses Basha ka dalë pro Metës, por gjithsesi duket se ka një ftohje mes PD, LSI dhe presidentit. Dje Meta sulmoi Edi Palokën edhe pse ky i fundit kishte bërë një status me ironi për shkarkimin e presidentit.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here