Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi dje se nuk ka kufij për sfidat ndaj sigurisë, të tilla si krimi i organizuar, trafiku i drogës, ndërsa bëri me dije se me synimin e luftës pa kompromis, është ngritur skuadra FAST në Shqipëri, ndërsa shton se që po presin që vendi ynë të jetë anëtar vëzhgues me të gjitha të drejtat në ENFAST në 2020. Kështu u shpreh Lleshaj dje në Forumin Ministerial BE-Ballkani Perëndimor. “Për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme”. “Sfidat ndaj sigurisë, të tilla si krimi i organizuar, trafiku i drogës dhe qenieve njerëzore nuk njohin kufij, kështu që një përgjigje rajonale dhe europiane kundër këtyre rreziqeve, duhet të jetë një objektiv dhe një sfidë për të gjithë ne. Kemi ngritur 4 skuadra të përbashkëta hetimore, 3 me partnerët italianë, të mbështetur nga Programi IPA dhe 1 me partnerët gjermanë. Me synimin e luftës pa kompromis ndaj krimit të organizuar, ne kemi ngritur skuadrën FAST në Shqipëri dhe presim që të jemi anëtarë vëzhgues me të gjitha të drejtat në ENFAST në 2020. Që kjo të jetë plotësisht operacionale po bëhen trajnim dhe përgatitje me mbështetjen e partnerëve tanë europiane”, tha Lleshaj. Ministri gjithashtu foli edhe për bashkëpunimin e Shqipërisë me koalicionin kundër terrorizmit dhe kontributin e saj në zona të konfliktit. “Shqipëria ka nënshkruar 21 marrëveshje ndërkombëtare dhe protokolle bashkëpunimi antiterrorizëm me vendet e Ballkanit Perëndimor, vendet anëtare të BE, SHBA etj. Për shembull, pothuaj 70% e operacioneve policore që lidhen me terrorizmin janë zhvilluar në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, 9 prej 13 operacioneve”, tha ai. Një tjetër temë e përmendur nga Lleshaj ishte edhe migracioni. Ministri vuri në dukje gjatë fjalës së tij masat e marra nga vendi ynë dhe nënvizoi se numri i migrantëve që kanë hyrë në vendin tonë ka ardhur në rritje nga viti në vit. “Ne po vërejmë dita-ditës një tendencë në rritje të migrantëve të parregullt që përdorin Shqipërinë si një vend tranzit, me qëllim që të kalojnë në BE. Gjatë periudhës janar-tetor 2019, rreth 5300 shtetas kanë aplikuar për azil, ose 50%, më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit 2018”, deklaroi Lleshaj.