Prokuroria për Krime të Rënda ka zbuluar të tjera vepra penale që anëtarë të grupit “Bajri” akuzohet se kanë kryer. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se të paktën për dy nga krerët e këtij grupi do të shtohen të paktën dy akuza të reja. Sipas informacioneve, gjatë këqyrjes së përgjimeve telefonike rezulton se Behar dhe Safet Bajri kanë ndikuar në administratën shtetërore duke punësuar persona që nuk shkonin asnjë ditë në punë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se një nga krerët e këtij grupi, më konkretisht Behar Bajri, dyshohet se duke ndikuar pranë një institucioni, ka ushtruar ndikim të paligjshëm për një shtetase, e cila ndërkohë nuk e frekuentonte fare detyrën edhe pse rezultonte e angazhuar. Kjo shtetase është marrë në pyetje më herët, thonë burime të sigurta, ndërkohë që identiteti i saj nuk bëhet i ditur pasi hetimet janë në vijim. Behar Bajri është ekstraduar gjatë korrikut të këtij viti nga Holanda, si një ndër të arrestuarit e operacionit “OAZ”, që u finalizua me arrestime të tjera sikundër ai i Enver Bajrit, jashtë Shqipërisë, apo edhe Safet Bajrit në kryeqytet. Ky i fundit, së bashku me Ilir Rustemin, pritet t’u adresohen edhe vepra të tjera të gjobëvënies. Grupi i Bajrave ka një sërë akuzash të bëra më herët publike që nga veprat e vrasjes dhe kryerja e veprave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Prokuroria e Shkallës së Parë për Krime të Renda Tiranë pritet që të dorëzojë brenda datës 20 nëntor dosjen në gjykatë për grupin “Bajri”, por me shumë gjasa ata do të kërkojnë sërish zgjatjen me tre muaj të hetimeve, të cilat nisën në prill të vitit 2018. Katër nga anëtarët e grupit u prangosën në fillim të muajit shtator. Grupi dyshohet se trafikonte lëndë narkotike në Europë dhe paratë i investonte brenda vendit. Prokuroria ka zbardhur dhe dy vrasje të kryera nga anëtarët e këtij grupi kriminal. Sipas organit të akuzës është bërë e mundur zbardhja e vrasjes së 15-vjeçares, Fabiola Bajri, bashkëjetuesja e një prej të arrestuarve, që 20 vite më parë u raportua si vetëvrasje, por prokuroria beson se është qëlluar me plumb, ndërsa vrasja tjetër lidhet me motive banale.
Hetimet
Pjesëtarë të ndryshëm të grupit “Bajri” janë duke u hetuar për disa vrasje dhe atentate në qytetin e Shkodrës, por edhe në vende të tjera. Po ashtu dyshohet se grupi i Bajrit merret edhe me trafik droge dhe vendosje gjobash në qytetin e Shkodrës. Në ngarkim të grupit rëndojnë edhe dy akuza për vrasje të ndodhura në vitin 2001 dhe në vitin 2002, që kanë mbetur të pazgjidhura deri më sot. Sipas prokurorisë, anëtarët e këtij grupi kriminal kanë kërcënuar për dhënien e disa shumave të konsiderueshme parash. Gjithashtu po sipas organit të akuzës, ky grup është i dyshuar dhe po hetohet edhe për ngjarjet e fundit kriminale që kanë ndodhur në kryeqendrën e veriut. Burime nga grupi hetimor thonë se ky grup kishte vendosur disa gjoba kohët e fundit në Shkodër. Sipas burimeve, gjobat e vendosura kohët e fundit, fillimisht u njoftoheshin të dëmtuarve nga Behar Bajri. Behari jam, u thoshte në telefon i dyshuari dhe më pas viheshin në lëvizje të tjerët, të cilët, siç rezulton nga përgjimet e shumta, i vendosnin afat të dëmtuarve në disa raste edhe me frazën “e mira është mos ta vonosh porosinë”. E provuar sipas prokurorisë është edhe akuza për dy vrasje, sikurse edhe e 15-vjeçares Fabiola Bajri, bashkëjetuese e njërit prej të dyshuarve. Vrasja e saj u raportua si vetëvrasje 20 vjet më parë edhe pse gruaja ishte qëlluar me një plumb, ndërsa edhe pas të shtënave arma u gjet me fishekë gati për qitje. Krimi i dytë dyshohet se është kryer për shkaqe banale. Mes personave nën hetim që dyshohet se ka bashkëpunuar me anëtarët e këtij grupi është edhe ish-portieri Armir Grimaj. Ai dyshohet për trukimin e ndeshjes Vllaznia-Tërbuni, një ndeshje e zhvilluar në muajin maj dhe e mbyllur me rezultatin 2-1, ashtu siç tregon në përgjimet ambientale Safet Bajri, kur flet për të ardhurat nga ndeshja. Nga ana tjetër, prokuroria po heton edhe për pastrim parash, një vepër që ka dyshime se kryhej përmes fajdeve. Nën hetim pasuror janë edhe pasuritë e të dyshuarve, mes të cilave edhe dy biznese.
Elvis MYRTA








































