Presidenti Ilir Meta duket se ka bërë prapakthehu sa i takon luftës me kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Përmes një konference shtypi, presidenti deklaroi se ditën e hënë do të bënte një padi penale ndaj Ardian Dvoranit, duke e akuzuar për shpërdorim detyre mbi skemën që u ndoq për emrat e Gjykatës Kushtetuese. Madje Meta deklaroi se kishte shumë prova kundër tij dhe paralajmëroi se rrezikon dënim me burg. Kishte shumë nga ata që e panë me skepticizëm deklaratën e tij. Por zëdhënësi Tedi Blushi reagoi për të shuar çdo hije dyshimi. “Të dashur kolegë gazetarë që më pyesni vazhdimisht a do të bëhet ditën e hënë kallëzimi penal i paralajmëruar nga Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, ju konfirmoj me përgjegjësi maksimale se: Pa asnjë diskutim, ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal, madje po administrohen prova të reja përvëluese, që shtojnë mundësinë për të pasur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë. Gjithashtu, ju bëj me dije se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, tha Blushi. Por për habinë e të gjithëve dje nuk pati asnjë padi penale ndaj kreut të KED. Edhe pse presidenti kërcënoi disa herë, si në konferencë, si në rrjetet sociale ashtu dhe përmes zëdhënësit të tij, dje asnjë zyrtar i Presidencës nuk është parë në ambientet e prokurorisë. Pyetja që shtrohet është pse bëri prapaktheu Ilir Meta? A është trembur presidenti nga një betejë gjyqësore me kreun e KED? Duhet theksuar se Dvorani është i vetmi gjyqtar aktiv që ishte pjesë e trupës që gjykoi aferën e bllokut 700 mijë euro të Ilir Metës. Po ashtu ai di më shumë se kushdo se si u arrit te vendimi i pafajësisë. Madje, madje, gazeta 2 ditë më parë bëri të ditur se në mes është dhe një video, e cila ju dërgua Dvoranit para vendimit për aferën 700 mijë euroshe. Presidenca është justifikuar dje me mosdërgimin e padisë në prokurori me argumentin se Meta nuk ka pasur kohë ta firmosë. “Kallëzimi penal është i formalizuar, i ndërtuar është në tryezë për t’u analizuar dhe nënshkruar. Është koha fizike e presidentit, do të depozitohet ditën e nesërme. Është një material voluminoz, në dallim nga vepra bëhet dallimi ku do depozitohet”, tha Bledar Dervishaj, këshilltar ligjor i Presidencës. Teksa të gjithë presin videon e Metës kundër Dvoranit, dje media pranë tij kanë folur dhe për video seksi. Gazeta “Koha Jona” ka thënë se pas ambasadorit të OSBE, do shpallet i padëshiruar dhe një ambasador tjetër, pasi është filmuar në momente intime me një punonjëse të Rilindjes dhe si duket e paska Meta këtë video.








































