Buxhetin i vitit 2020 për institucionet e drejtësisë ka shkaktuar dje debate në Komisionin e Ligjeve. Seancën dëgjimore me institucionet e drejtësisë e hapi Prokuroria e Përgjithshme, përfaqësues të së cilës parashtruan kërkesat e tyre para deputetëve dhe relatorit të këtij projektligji, deputetit të Partisë Socialiste, Bashkim Fino. Por ashtu si kundër është bërë tanimë traditë, përplasjet, përballja e shifrave dhe “oreksi” i institucioneve të drejtësisë për rritje fondesh nuk mungoi as dje. Shkak u bë kërkesa e përfaqësuesit të Prokurorisë së Përgjithshme, Luan Abazi, i cili kërkoi shtesë fondesh për vitin 2020, e veçanërisht 5-fishin e fondeve që ka pasur ky institucion për vitin 2019, si dhe shtim personeli. Sipas zotit Abazi, ky shtim fondi është i nevojshëm pasi shkon për përmirësimin e infrastrukturës.“Për vitin 2020 duam buxhet shtesë dhe shtim personeli. Ministria e Financave ka akorduar për vitin 2020 një buxhet prej 130 milionë lekë, por ne duam që ky buxhet të jetë 5-fish, pra 650 milionë lekë. Kjo shtesë shkon për infrastrukturë, kryesisht përgjimet”, deklaroi ai. Por në kundërpërgjigje, relatori Bashkim Fino u shpreh se pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë dhe se shumë para nga fondi i akorduar nga qeveria për këtë institucion nuk janë ezauruar. Sipas tij, për vitin 2020 prokurorisë vetëm shpenzime për mallra i shtohen 60 milionë lekë. “Ky institucion shpenzimet për mallra nuk i kanë shpenzuar të gjitha. Pra deri më tani prokuroria ka shpenzuar 230 milionë lekë nga 349 milionë që kishin marrë për vitin 2019. Kështu që, për 2020 fondi do të jetë 290 milionë për investime”, deklaroi Fino. Në përfundim, kërkesa e prokurorisë nuk u miratua.










































