Një ditë pasi presidenti Ilir Meta shpalli ambasadorin Bernd Borchardt si i pa dëshiruar në zyrën e presidentit, ka ardhur reagimi i parë nga zyra qendrore e OSBE në Vienë.
Top-Channel ka kontaktuar OSBE-në në Vienë dhe përgjigja ishte shumë diplomatike duke lënë të kuptohet se OSBE në Vienë, nuk preferon ta agravojë situatën e paprecedentë në këtë përplasje.
“OSBE e mban shënim këtë notë verbale lëshuar nga zyra e presidentit . Për aq kohë sa ne qëndrojmë partnerë të Shqipërisë, OSBE inkurajon dialogun dhe bashkëpunimin me institucionet shqiptare, e po ashtu mbetet e vendosur në ofrimin e ndihmës specifike, në avancimin e axhendës së vendit”.- thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Mersiha Čaušević Podžić.
Në letrën dërguar Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagen, presidenca thoshte se “Bernd Borchardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajt qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë, nuk është i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës”.