Kryetarja e Dhomës së Ulët të Kongresit amerikan Nancy Pelosi tha dje se Presidenti Donald Trump ka pranuar se ka kërkuar ryshfet në skandalin e Ukrainës, duke e akuzuar atë për shkelje e ndëshkueshme me shkarkim, sipas kushtetutës së SHBA. Pas seancave të dëshmive publike, ajo tha se ryshfeti qëndron në dhënien ose mos-dhënien e ndihmës ushtarake amerikane, në këmbim të një deklarate publike ose të një hetimi fals mbi ndërhyrjet në zgjedhje. “Ky është ryshfet. Ajo që presidenti ka pranuar është perfekte, domethënë, është e gabuar në mënyrë perfekte. Ky është rryshfet”, tha krye-demokratja e Kongresit në konferencën e shtypit pas dëgjesave të para publike. Demokratët kërkojnë të vërtetojnë se Trump ka abuzuar me pushtetin e tij duke refuzuar të japë $391 milionë në ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën, teksa bënte presion që Kievi të kryente dy hetime nga të cilat Trump mund të përfitonte politikisht në SHBA. Paratë në fjalë ishin aprovuar nga Kongresi amerikan për të ndihmuar vendin aleat të luftojë separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të vendit, dhe rrjedhimisht u dhanë për Ukrainën. Presidenti Trump mohon shkeljen e ligjeve dhe thotë se hetimi demokrat është një “gjueti politike shtrigash”.
Dëshmitarët
Një figurë qendrore e hetimeve është ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch e cila dëshmon sot në dëgjesën e dytë publike të hetimeve të shkarkimit. Në dëgjesën e parë folën për disa orë dëshmi dy zyrtarë të Departamentit të Shtetit- William Taylor, diplomati më i lartë aktual amerikan në Ukrainë dhe George Kent, i cili mbikëqyr çështjet e Ukrainës. Të dy zyrtarët kanë thënë se Trump i bëri presion presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy për të hapur hetime ndaj njërit prej kundërshtarëve të tij kryesorë demokrat, Joe Biden, si kusht që të zhbllokonte ndihmën ushtarake prej 391 milion dollarësh për Kievin. Në një telefonatë në fund të korrikut me presidentin ukrainas, Vlodymyr Zelenskiy, Trump i kërkoi atij “një favor”, hetimin e ish-nënpresidentit Biden, punën e djalit të tij Hunter Biden në një kompani ukrainase të gazit natyror dhe një teori tashmë të pavërtetuar se ishte Ukraina që kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 të fituara nga Trump e jo Rusia, siç konkludoi komuniteti i inteligjencës amerikane.
Mundësia e shkarkimit
Nëse Kongresi aprovon nenet e shkarkimit deh akuzat formale ndaj Trump, një seancë do të mbahet në Senat për të vendosur ngritja e akuzave. Senati kontrollohet nga republikanët të cilët kanë treguar se nuk do të mbështesin shkarkimin e presidentit Trump. Komentet e Pelosi ofrojnë një ide të neneve të shkeljes që demokratët mund të prezantojnë në akuzat e tyre. Në konferencë Pelosi përmendi “bllokim të Kongresit” duke ndaluar dëshmitarët të japin dëshminë e tyre, ndërsa akuzat më të rënda sipas saj janë “tradhtia, ryshfeti, dhe të tjera shkelje e krime”. Të tjera demokratë kanë përmendur fjalët “ryshfet ose tentativë ryshfeti” si akuza të mundshme. Republikanët thonë se demokratët e kanë tashmë mendjen të mbushur për të ngritur akuzat por Pelosi e mohoi këtë duke thënë se hetimi shpaloset i plotë para të merret një vendim. Pelosi i krahasoi veprimet e Trump me ato të ish-presidentit Richard Nixon në skandalin e korrupsionit Watergate në vitin 1974 që çoi në dorëheqjen e vetme të një presidenti amerikan. ajo tha se veprimet e Trump për listimin e një fuqie të huaj për ta ndihmuar në zgjedhjet brenda SHBA si dhe bllokimet e mëpasshme të informacionit e bëjnë “skandalin e Nixon të duket thuajse i vogël.”








































