Google search engine
Home Politike Basha i rrezikuar nga SPAK, argumentet e prokurorëve nuk zhbllokojnë dosjen e...

Basha i rrezikuar nga SPAK, argumentet e prokurorëve nuk zhbllokojnë dosjen e lobimeve, luftë e fortë për të shpëtuar kreun e PD

0
298

Vijojnë përplasjet sa i takon dosjes së lobimeve të Partisë Demokratike në SHBA. Prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako mbyllën hetimet dhe vendosën të çojnë çështjen në gjykatë. Por veprimi i tyre ngjalli dyshime, pasi Bashës iu hoq akuza për pastrim parash, ndërkohë që vendimi ishte marrë pa njoftuar prokurorin tjetër të çështjes, Kol Hysenaj. Kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj e kundërshtoi veprimin e prokurorëve dhe i thirri ata në një takim ditën e hënë. Karanxhës dhe Takës iu la tri ditë kohë të dorëzojnë argumentet e tyre se pse vepruan në këtë mënyrë. Sipas burimeve, dje ata kanë dorëzuar me shkrim dokumentet, ku së pari sqarojnë se akuza për pastrimin e parave është pushuar për shkak se mungon dëshmia e Nicolas Muzin. Po ashtu njësoj si në dosje shprehen se nuk ka pasur veprimtari përftimi që të kemi pastrim parash. Nga ana tjetër ata shprehen se sipas ndryshimeve të reja ligjore, prokurori është zoti i çështjes dhe vetëm ai e vendos nëse ajo duhet të shtokë apo jo në gjykatë. Por argumentet e tyre nuk kanë bindur kryeprokuroren e Tiranës, e për pasojë dosja vijon të jetë e bllokuar. Por pas datës 25 nëntor nis transferimi i dosjeve tek SPAK dhe nëse çështja vijon të jetë e bllokuar, kreu i Partisë Demokratike me gjasë do të përfundojë tek Prokuroria e Posaçme.

Reagon Basha

Ndërkohë ditën e djeshme kreu i Partisë Demokratike ka reaguar në lidhje me dosjen e tij për lobimin rus. Në një intervistë për mediat, Basha ka thënë se vetëm një drejtësi e pavarur do të mund t’u japë fund këtyre lojërave politike. Ndërkohë që akuzat për pastrim parash rëndojnë ndaj tij, Basha u shpreh se 10% i mbetur nga gënjeshtra që po mbahet me zor në këmbë do të çmontohet në gjykatë. “Është pikërisht drejtësia e pavarur që do tu japë fund këtyre lojërave. Nuk ka njeri që nuk e kupton që kjo është e gjitha një lojë politike e gatuar me sforco nga Edi Rama dhe që mbahet me sforco në këmbë. Drejtësia e pavarur u jep fund këtyre lojërave. Prandaj kemi kërkuar që sa më shpejt kjo gënjeshtër të shkojë në gjykatë, 90% e gënjeshtrës u çmontua pasi u mbajt dy vjet në këmbë dhe ajo 10% që mezi mbahet në këmbë do të çmontohet në gjykatë”, ka deklaruar dje Basha.

Dosja e Bashës

Ishte hetimi financiar për lobimin prej 675 mijë dollarësh me kompaninë “Muzin Capitol Partners”, i cili ka çuar në bankën e akuzës liderin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish-Sekretarin e Përgjithshëm të PD Arben Ristani dhe financierin e kësaj force politike Ilir Dervishi. Pagesa totale prej 675 mijë dollarësh, e bërë për llogari të PD-së drejt kompanisë lobuese në SHBA, ka shërbyer për disa takime dhe foto me zyrtarë të lartë amerikanë. Duke fshehur nga deklarimi 650 mijë dollarë nga 675 mijë dollarë të paguar, sipas prokurorëve të Tiranës, tre zyrtarët e lartë të PD kanë bërë dhe evazion fiskal pasi nuk kanë paguar detyrimet që rrjedhin mbi të ardhurat financiare. Ndërkohë pasi u zbardh dosja e prokurorisë, u zbulua që në hetimet mbi lobimin në SHBA nga PD-ja, ku dyshohet të jetë e përfshirë edhe një kompani e lidhur me Rusinë, ka një dëshmitar. Njeriu që rrezikon të rëndojë situatën penale të Lulzim Bashës, është biznesmeni amerikan Nikolas Muzin, pra pikërisht ai qëka deklaruar në Thesarin e Shtetit amerikan shumën e paguar nga PD-ja, por që kjo e fundit nuk e deklaroi në KQZ. Autoritetet amerikane i kanë dhënë garanci se nuk do të ndiqet penalisht në Amerikë në rast se jep deklarime për të zbardhur ngjarjen. Prokurori ka komunikuar me Prokurorinë Tiranë ku përcjell kërkesën e Nikolas Muzin për të mos pasur përgjegjësi penale në territorin e Republikës së Shqipërisë në këmbim të dhënies së dëshmisë së tij me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në këto kushte organet e ndjekjes penale të Republikës së Shqipërisë janë të interesuara për zbardhjen e plotë të ngjarjes duke mos u bërë pengesë për deklarimin e shtetasit amerikan Nikolas Muzin.

Arbjona ÇIBUKU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here