Google search engine
Home Politike Zv/ambasadori i SHBA: Korrupsioni është gjithandej dhe fshihet në vendet më pak...

Zv/ambasadori i SHBA: Korrupsioni është gjithandej dhe fshihet në vendet më pak të dyshimta, duhet demaskuar

0
323

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të jenë të angazhuara për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Uashingtoni është përkushtuar maksimalisht për një drejtësi të barabartë për të gjithë, por edhe për të çuar pas hekurave zyrtarë të korruptuar. I ngarkuari me Punë, Daniel Koski ishte ditën e djeshme i pranishëm në ceremoninë e diplomimit në Fakultetin e Drejtësisë, nga ku u bëri apel gjyqtarëve të ardhshëm për të demaskuar korrupsionin dhe të nxjerrin para drejtësisë të gjithë ata që janë të përfshira në këto afera. Koski kërkoi nga sapo të diplomuarit të jenë faktor ndryshimi, për të forcuar sa më shumë sistemin e drejtësisë. “Shpresoj të jeni faktorë ndryshimi për forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Por, dijeni, se puna juaj nuk do jetë e lehtë. Korrupsioni është gjithandej dhe fshihet në vendet më pak të dyshimta. Ju bëj thirrje që të bëheni pjesë e një brezi të ri që kundërshton korrupsionin kudo që ta shihni. Dhe, ju sfidoj që të bëheni të guximshëm. Demaskojeni korrupsionin dhe nxirreni atë në dritë që ta shohin të gjithë. Kthejeni veten në mbrojtës të një sistemi etik drejtësie dhe heronj të atyre që ai u shërben”, tha Koski. Më tej, diplomati amerikan deklaroi se Shqipëria nuk e meriton aspak korrupsionin, ku u bëri thirrje të sapodiplomuarit të luftojnë për gjithçka që është e drejtë. “Shpresoj të përkushtoheni çdo ditë për të nderuar veten, profesionin tuaj dhe bashkëqytetarët tuaj, ndërsa ndihmoni në ndërtimin e një sistemi drejtësie më të mirë për vendin tuaj. Përdoreni optimizmin dhe energjinë tuaj për ta bërë sistemin më të mirë. Rrënjoseni veten tuaj në integritet, nder dhe etikë dhe luftoni për gjithçka që është e drejtë. Ju, kolegët tuaj dhe vendi juaj nuk meritoni asgjë më pak”, tha Daniel Koski. Në përfundim të fjalës së tij, i ngarkuari me punë u shpreh se SHBA do ta mbështesë gjithmonë Shqipërinë për të luftuar këto fenomene, duke theksuar se nuk do të lëkunden asnjëherë nga ky qëndrim. “Në fund, shpresoj të merrni forcë dhe guxim nga profesionistët e nderuar dhe parimorë përreth jush që kanë nevojë për ju për t’u bashkuar me ta në këtë luftë për të ardhmen e vendit tuaj. Kërkoni partnerë të besuar në ligjzbatim dhe agjenci të tjera për të mbështetur përpjekjet tuaja fisnike. Ata janë atje, duke ju pritur. Dhe dijeni që Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë me ju për sa kohë ju përkrahni një sistem gjyqësor transparent dhe etik. Mbështetja jonë për atë kauzë dhe për ata që na bashkohen në çuarjen e saj përpara, nuk do të lëkundet kurrë dhe nuk do të dobësohet asnjëherë”, u shpreh i ngarkuari me punë Daniel Koski. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here