Prokurori i Krimeve të Rënda, Njazi Seferi është një tjetër subjekt që jep dorëheqjen para përballjes më Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. E para ishte kryegjyqtarja e Durrësit, Joana Qeleshi. Ndërsa dje Komisioni zbardhi vendimin për largimin e prokurorit Seferi nga sistemi i drejtësisë, ku shkruhej se është larguar nga posti përmes dorëheqjes, për arsye shëndetësore. Në vendimin e zbardhur, Komisioni shkruan se në shtator të këtij viti nisi një hetim për subjektin e rivlerësimit dhe caktimin e trupës gjykuese. Lidhur me këtë fazë, të dyja palët deklaruan se nuk kanë konflikte interesi, duke kaluar në fazën e dytë të procesit. “Pasi relatori i çështjes kreu një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, paraqiti para trupit gjykues dhe vëzhguesit ndërkombëtar, z. Branko Hrvatin, rezultatet e hetimit dhe i rekomandoi trupit gjykues dhe vëzhguesit ndërkombëtar mbylljen e hetimit kryesisht për subjektin e rivlerësimit, z. Njazi Seferi. Në mbledhjen e datës 27.9.2019, trupi gjykues, në prani edhe të vëzhguesit ndërkombëtar, pasi arriti në përfundimin se provat në lidhje me kriterin e pasurisë, kontrollin e figurës dhe me vlerësimin profesional kanë nivelin e provueshmërisë, vendosi të mbyllë hetimin kryesisht për subjektin e rivlerësimit, dhe ta njoftojë se ka barrën e provës për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit”, shkruan KPK në vendimin e zbardhur. Pas kësaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkruan se subjekti i rivlerësimit, pasi mori njoftimin për barrën e provës, përmes postës elektronike, e konfirmoi marrjen e njoftimit për mbylljen e hetimit, duke deklaruar se është njohur me dokumentacionin. Nga ana tjetër, vetëm 2 ditë më pas, prokurori i Krimeve të Rënda, paraqiti pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kërkuar mbarimin e statusit të prokurorit për arsye shëndetësore. Pas kësaj, KPK vendosi të ndërpresë procesin e rivlerësimit kalimtar për prokurorin Seferi dhe ndalimin e emërimit të tij si gjyqtar apo prokuror për 15 vite.