Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë edhe njëherë të qartë se do t’i shkojnë deri në fund luftës kundër korrupsionit. Në kuadër të nismës mbi hapat që do të ndiqen për luftën antikorrupsion, Ambasada e SHBA ka treguar dje çudirat e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, të ilustruar më një video, ambasada e SHBA ka deklaruar se do të vijojë që të punojë në ngritjen e një sistemi drejtësie që është transparent, eficent dhe i lirë nga korrupsioni. Ambasada thekson se do të vijojë bashkëpunimin me institucionet, në mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin e drejtësisë që meritojnë. Në mesazhin e shpërndarë në faqen zyrtare, ambasada e vendos theksin te puna e USAID për të përmirësuar sistemin gjyqësor. Sipas saj, vetingu po tregon batërdinë e njerëzve të drejtësisë. Sipas ambasadës, ligjërisht gjyqtarët fitojnë deri në 10 mijë euro nga pagat, po 1 në 3 emra kanë deklaruar pranë ILDKP pasuri me vlerë nga 250 mijë euro deri në miliona dollarë. “A e dinit se paga mesatare për një gjyqtar shqiptar është 10 mijë euro në vit. Megjithatë një në tre gjyqtarë deklaruan pasuri me vlerë mbi 250 mijë euro në vit. Disa deklarojnë edhe miliona dollarë. Në sistemin e vjetër gjyqet me dyer të mbyllura, ryshfetet, vonesat apo dështimet për të nxjerrë vendimet e gjykatave ishin të zakonshme. USAID ka punuar për të përmirësuar sistemin. Nga 2012 USAID ka pajisur gjykatat me teknologji për regjistrimin audio, drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Goditja ndaj të korruptuarve
Më tej është bërë e ditur se qeveria amerikane është e vendosur për të mbështetur Shqipërinë në instalimin e një shteti ligjor dhe një drejtësi pa korrupsion. Deklarata e ambasadës duket se ka qenë një mesazh si për politikën, ashtu dhe për gjyqtarët e prokurorët që nuk kanë dalë ende në veting. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Çdo javë do të nënvizojmë një nismë që kemi ndërmarrë për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. Këtë javë, mësoni se si USAID ka punuar me partnerë për të përmirësuar sistemin gjyqësor prej vitit 2003. Ambasada e SHBA në Shqipëri do të vazhdojë të punojë me partnerët shqiptarë për të ndihmuar ngritjen e një sistemi drejtësie që është transparent, eficient dhe i lirë nga korrupsioni. Ky është sistemi i drejtësisë që ju, populli shqiptar, meritoni”, thekson Ambasada e SHBA.
Asistenca e SHBA
Në videon e publikuar nga ambasada, tregohen fushat ku amerikanët janë duke ofruar mbështetje me qëllim rritjen e llogaridhënies dhe shfarosjen e korrupsionit. Sipas ambasadës, po punohet për më shumë transparencë, për edukimin e publikut, rritjen e aksesit në drejtësi dhe përmirësimin e eficencës. “Për të pakësuar vonesat USAID solli bashkë partnerët shqiptarë për të identifikuar nëse të pandehurit apo dëshmitarët janë të pranishëm dhe mund të paraqiten në gjykatë. Për të lehtësuar dorëzimin në kohë të dokumenteve dhe shkurajuar ata që përpiqen të vonojnë qëllimisht drejtësinë, duke zbatuar gjoba dhe ndëshkime të tjerë nëse krijojnë vonesa të panevojshme. USAID po instalon pika informacioni elektronik për t’u dhënë qytetarëve akses falas”, shkruan ambasada e SHBA. Pra duket se amerikanët po ja u bëjnë të qartë të gjithëve se reforma në drejtësi nuk ndalet dhe të gjithë do e kenë pisk punën.
Arbjona ÇIBUKU