Gjykata Kushtetuese pritet të jetë molla e radhës e sherrit mes qeverisë dhe Presidencës. Edhe pse Kuvendi miratoi 2 prej kandidatëve ditën e hënë, pritet që në ditët në vijim të rikthehen përplasjet. Sytë tani janë te Presidenca, pasi ligji e përcakton qartë se anëtarët e Kushtetueses që nisin punën duhet që të betohen më parëte presidenti. Kuvendi zgjodhi Fiona Papajorgjin dhe Elsa Toskën dhe sipas burimeve nga PS, për këto dy emra pritet të mos ketë probleme. Por frika është sa i takon emrit të Arta Vorpsit. Kjo e fundit u emërua automatikisht pasi Metës i skaduan afatet. Mirëpo presidenti nuk e njeh, pasi pretendon se ka pezulluar garën. Por pretendimet e Metës janë rrëzuar nga KED.
Argumentet e KED
Gazeta ka siguruar raportin e arsyetuar që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar presidentit Ilir Meta, lidhur me renditjen e 4 kandidatëve. Meta e akuzoi KED se nuk veproi si duhet dhe madje sulmoi drejtpërdrejt kryetarin Ardian Dvorani. Por KED në raport shprehet se radha e pretenduar nuk vlen në këtë rast pasi përzgjedhja e emrave është bërë në kushtet e emergjencës dhe kjo është përcaktuar në rregulloren e brendshme. “Për vendet vakante që tashmë janë krijuar në Gjykatën Kushtetuese të cilat i përkasin të njëjtit organ emërtese, pavarësisht nga përcaktimet e pikës 69 të këtij vendimi, duke mbajtur parasysh rrethanat e mungesës së njëhershmërisë në shpalljen e vendeve vakante, të kohës së tejzgjatur ndërmjet shpalljeve të konkurrimit për plotësimin e tyre dhe ekzistencën njëkohësisht të vendeve vakante me mandat të plotë dhe të pjesshëm, për të garantuar trajtimin e aplikimeve të kandidatëve në respektim të parimit kushtetues të barazisë përpara ligjit dhe të të drejtës së tyre të zgjedhjes së kandidimit për vende vakante të plotë ose të pjesshme, Këshilli do të procedojë me paraqitjen pranë organit përkatës të emërtesës të një liste të vetme përfundimtare të renditjes së kandidatëve sipas vendit vakant ku kanë shprehur interesin për kandidim”, thuhet në raportin e KED.
Lista e emrave
Më tej thuhet se lista që i ka shkuar presidentit është bërë sipas rregullores së brendshme, e krijuar për shkak të situatës së krijuar. “Për këtë arsye, bazuar në këtë rregull kalimtar të vendosur nisur nga rrethanat e paparashikuara në ligj dhe që synojnë garantimin e barazisë së kandidatëve në konkurrim, në përfundim të veprimeve dhe procedurave të ndjekura për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidaturave, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka proceduar me përgatitjen dhe miratimin e një liste të vetme përfundimtare të renditjes së kandidatëve të lejuar për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet aty.
Kompetencat
Presidenti Meta ka akuzuar kreun e KED se ka tejkaluar kompetencat dhe se nuk veproi si duhet me dërgimin e listave. Meta ka deklaruar se ishte KED që duhej të çonte emrat sipas radhës. Por në argumentin e KED bëhet qartë se janë zbatuar me rigorozitet procedurat ligjore. “Kushtetuta dhe ligji i posaçëm nr. 8577/2000, parashikojnë vetëm detyrën e KED për të realizuar renditjen e kandidatëve që janë verifikuar paraprakisht për plotësimin e kushteve ligjore të kandidimit, por nuk parashikojnë si element pikëzimin si një mënyrë e përzgjedhur për të reflektuar arsyetimin e KED lidhur me renditjen e kandidatëve dhe për ta materializuar këtë vlerësim në renditje nëpërmjet këtij elementi objektiv”, thuhet aty.
Kliti Topalli