Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi u njoh dje me konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik. Ky i fundit kërkoi nga trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shkarkojë Muçin, ndërsa gjatë leximit të konkluzioneve, këmbënguli se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e mosdeklarimit saktësisht dhe plotësisht të pasurisë dhe se nuk arriti të provojë bindshëm ligjshmërinë e burimeve të krijimit të saj. Nga ana tjetër, Besnik Muçi përmes konkluzioneve të tij përfundimtare, lidhur me parashtrimet e Komisionerit Publik, kundërshtoi të gjitha shkaqet e ankimimit, duke pretenduar se ka provuar të kundërtën e gjetjeve, me anë të provave që ka sjellë në seancat e mëparshme. Ndërsa në përfundim të konkluzioneve, Muçi kërkoi nga trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Mbetet të shihet si do jetë vendimi për Muçin, por nga sa është parashtruar deri më tani provat e Komisionerit nuk kanë qenë fort bindëse dhe Muçi mund të konfirmohet në detyrë.
Gjetjet e KP përballë Muçit
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi në përballjen e fundit me Komisionerin, i kundërshtoi qëndrimet e këtij të fundit si të pabazuara. Replikat e Muçit kundrejt Komisionerit, u fokusuan tek huatë që subjekti ka marrë për apartamentin e blerë në 2006 dhe atij të blerë në 2016. Subjekti kishte deklaruar si burim krijimi një hua nga babai, vëllai, një hua nga xhaxhai dhe nga motra në Britani. Burim krijimi për apartamentin e blerë 10 vite më pas, ka deklaruar huan e marrë nga kunati në Turqi. Lidhur me këto deklarime, Komisioneri u shpreh se për huatë e dhëna nga babai dhe xhaxhai, nuk është provuar burim i ligjshëm, duke shtuar se provat e dorëzuara nga Muçi nuk vërtetojnë se personat në fjalë nuk kanë pasur mundësi për të kursyer. Muçi, ritheksoi edhe në seancën e djeshme se prindërit e tij i kanë krijuar të ardhurat me punën në bujqësi dhe të ardhurat që vëllai i ka siguruar në emigracion, ndërsa KP pretendon se burimi i deklaruar, duke u nisur nga pagesa e kontributeve për sigurimet shoqërore nuk është i bazuar në ligj. Ndërsa të ardhurat nga emigracioni, KP i cilësoi si të paprovuara. Nga ana tjetër, Muçi shprehu se edhe pse të ardhurat e prindërve dhe xhaxhait të tij nuk ishin të taksueshme, ato duhet të konsideroheshin të ligjshme. Muçi shpjegoi se babai i tij kishte mundësi të krijonte nga puna në fshat mbi 800 mijë lekë të ardhura në vit dhe shpenzimet ishin të pakta. Lidhur me huan nga motra dhe vëllai, Muçi tha se nuk i janë kërkuar sqarime kur i kanë kaluar barrën e provës në KPK. Diskutimi u fokusua edhe tek huaja e marrë nga kunati në Turqi, që sipas KP, nuk ishte burim i ligjshëm, duke bërë llogarinë se për të dhënë atë shumë hua, kunati i tij duhet të kursente rreth 45 për qind të të ardhurave mujore, duke theksuar se pretendimet e subjektit nuk qëndrojnë. Po Muçi tha se ai ka paraqitur dokumente që pasqyrojnë të ardhurat e kunatit, duke theksuar se KP kishte bërë konvertim të huas fillimisht nga Lira turke në Lekë dhe më pas në Euro dhe tha se kjo nuk kishte ndodhur. Në përfundim, KP tha se Muçi dhe personat e lidhur me të, nuk arrijnë të justifikojnë bindshëm burimin e ligjshëm të ardhurave dhe të pasurive të deklaruara, të krijuara në vitet 2006 dhe 2016. Për analizën financiare të viteve 2003, 2004 dhe 2005, Muçi ka mungesë burimesh financiare të ligjshme për të justifikuar shpenzimet dhe kursimet e deklaruara. Vendimi për Besnik Muçin do të jepet më 21 nëntor, ora 11:00.
Ornela Çelpica