Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi një ditë më parë mbledhjen e radhës për përzgjedhjen e kandidatëve për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, ku janë përzgjedhur tre emrat e parë. Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi përfundimisht kualifikimin e gjyqtarëve Ervis Pupe, Ilir Panda dhe Sokol Sadushi për në Gjykatën e Lartë, ndërsa njoftoi se ka skualifikuar Eduart Qehajajn dhe Florin Demollarin, të cilët sipas rezultateve të verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit, nuk plotësonin të gjithë kriteret e kërkuara. Sipas njoftimit, kandidatët e skualifikuar kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta. Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë është mbledhur me gjyqtarët e deleguar nga KLGJ, për të mos shkaktuar konflikt juridik me partnerët në çështjet e ekstradimit. Gjyqtarët e përzgjedhur nga KLGJ, do të merren me 5 dosjet, të cilat kanë të bëjnë me ekstradimin e Skënder Driza i kërkuar nga Kosova, Elis Çoku, kërkuar nga vendet e BE-së, Aleksandër Nikoli, kërkuar nga vendet e BE-së, Mikel Hoxha njohur si Ermal Mehmeti dhe Alket Hatija të kërkuar nga Italia. Për dosjen e Çokut, Nikollit dhe Hoxhës është lejuar ekstradimi, ndërsa për Hatinë dhe Mehmetin vendimi do të shpallet më 22 nëntor. Emrat e përzgjedhur nga KLGJ, do të zëvendësojnë 18 vakancat në Gjykatën e Lartë për ta çuar në numrin ligjor prej 19 anëtarësh. Vakancat në Gjykatën e Lartë kanë shkaktuar dhe përplasje politike. Pak kohë më parë ishte presidenti Ilir Meta, ai i cili nisi një betejë shkresore me KLGJ. Duke qenë se sipas ligjit është presidenti ai që dekreton gjyqtarët, Meta i kërkoi llogari KLGJ. Ndërkohë që kjo u interpretua si cenim i pavarësisë së gjyqësorit.