Protesta e Astirit ka çuar në një përplasje virtuale edhe gazetaren Mira Kazhani dhe aktorin Julian Deda. Kazhani e quajti dje protestën e banorëve të Astirit një dështim dhe pas kësaj i menjëhershëm ka qenë reagimi i Julit.
Në një status në Facebook, Deda, shkruan se ajo që ka bërë shkrimin në fjalë është një gazetaruce që mbase ka nevojë për një burrë që të qetësohet.
“Kesaj gazetaruces populiste, qe protesta e banoreve te Astirit i duket deshtim, gjejini nje burre te qetesohet, se gjynah..!”- shkruan Jul Deda.
Por nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur edhe përgjigja e gazetares Mira Kazhani ndaj aktorit të humorit. Në të njëjtën formë, në një status në rrjetet sociale, Kazhani e pranon që nuk ka burrë, por gjithashtu i kthen përgjigje edhe Dedës.
“I dashur Juli. Është e vërtetë që nuk kam akoma një burrë. Me sa shoh as gruaja jote nuk ka,”– shkruan ajo.
Por aktori nuk e ka lënë me kaq replikën në rrjetet sociale. Në një tjetër status, Jul Deda shkruan se Mira Kazhani është një njeri i dështuar, saqë edhe kur nuk i përmendet emri, e kupton që një status është për të, referuar këtu reagimit të tij të parë, ku nuk kishte caktuar emër se kujt i drejtohet.
“Kaq e deshtuar je sa çdo kritike qe shkruhet ne facebook, edhe kur nuk te permendet emri e kupton se behet fjale per ty,”- përfundon Deda.


