Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë. Në dokumentin e mëposhtëm amerikanët i kanë kushtuar vëmendje të lartë Mehmet Shehut. Bëhet fjalë për zhvillimet në vitin 1950. Aty jepen detaje mbi karrierën e Shehut dhe propaganda që ushqehej për agjentët e jashtëm.
Korrik 1950
Ministri i Brendshëm nxit partinë për masa sigurie
Ministri i Brendshëm Mehmet Shehu tha në një mbledhje të Partisë së Punës se detyra e Shqipërisë është e dyfishtë; të rindërtojë dhe të mbrojë veten nga armiqtë që e rrethojnë. Shehu tha se sikur Shqipëria të mos ishte e detyruar t’i kushtonte kaq shumë kohë mbrojtjes, gjendja e saj ekonomike do të ishte më e mirë, por premtoi se kjo situatë nuk do të zgjasë shumë. Shehu u mburr me mbrojtjen e Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik dhe aftësia e tij për të eliminuar armiqtë trotskistë si Koçi Xoxe dhe se nënvlerësimi i armiqve për aftësitë e vendit po funksiononte në avantazh të tij. “Është interesante të dëgjosh atë që thonë armiqtë për Shqipërinë dhe kushtet këtu. Por unë ju këshilloj të mos dëgjoni Radio-Londrën apo Radio-Barin, siç bëri Niazi Islami”, tha Shehu duke iu referuar gazetës Ecomondo, e cila shkruante në nëntor se 44 brigada guerrile luftojnë në Shqipëri kundër regjimit komunist. Gazeta shkruante: “Ka rreth 15 000 luftëtarë guerilë në zonën e Elbasanit e Shkodrës që kanë njohur Gjon Markagjonin si udhëheqësin e tyre dhe janë besnikë ndaj komitetit Shqipëria e Lirë”. Shehu i vinte në lojë lajme të tilla duke thënë se në Shqipëri ka vetëm 15 elementë të jashtëligjshëm dhe prej tyre shtatë janë për arsye jo-politike. Ai pretendonte se numri i të jashtëligjshmëve në Shqipëri është më i ulëti që prej kohës së çlirimit. Shehu citonte nga ato që pretendonte se ishin deklarata të agjentëve armiq të kapur nga autoritetet. Shehu tha se një prej tyre që ishte lëshuar më parashutë në Shqipëri dhe u tha hetuesve se para se të dërgohej në Shqipëri i kishin thënë se malet e vendit ishin të mbushura me luftëtarë guerilë anti-qeveritarë që do ta ndihmonin, por kur erdhi vetëm kishte zbuluar të kundërtën. Shehu citonte nga deklarata e një tjetër agjenti armik të kapur duke thënë se “ky njeri është një agjent i kualifikuar me histori të gjatë në shërbimin e një vendi të huaj kundër vendit tonë”. Në dëshminë e tij, agjenti ka thënë: “Ne mendonim se duhet të përballeshim me një qeveri të dobët dhe një popull injorant, ne menduam se ju nuk do të na kapnit, por tani që rashë në dorën tuaj jam i bindur se e ardhmja e Shqipërisë ju përket ju, komunistëve”. Më tej Shehu paralajmëroi dëgjuesit të mos humbasin asnjëherë vigjilencën për të luftuar pa mëshirë armikun. Ai i kërkoi Partisë Komuniste të bashkëpunojë me Sigurimin dhe citoi si shembuj të këtij bashkëpunimi komitetet e partisë së Vlorës dhe Tepelenës. Shehu tha se Koçi Xoxe si ministër i Brendshëm dhe Sekretar i Partisë Komuniste e kishte vënë të gjithë partinë nën kontrollin e organeve të tij të sigurisë. “Kjo procedurë u likuidua si aktivitet trotskist pas Kongresit të I-rë të partisë. Por duke likuiduar këtë ne kaluam në ekstremin tjetër, duke neglizhuar veprimin armik brenda radhëve të partisë”, tha Shehu. Sipas tij kjo pozitë ekstreme bëri të mundur që armiku ta fshehë veten brenda radhëve të partisë, ndoshta nga imuniteti që i jepet anëtarëve të Partisë Komuniste në lidhje me organet e sigurisë. Shehu u ankua se “agjentët armiq mund të qëndrojnë të fshehur derisa kryejnë akte flagrante sabotazhi ose kur arratisen nga vendi. Kjo dobësi është shfrytëzuar nga armiku, veçanërisht nga titistët. Organet e sigurimit janë këtu për të luftuar armikun, kudo që të fshihet ai, qoftë i maskuar me veshjen e një prifti, të një punëtori, të një anëtari të partisë ose jo”. Shehu deklaroi se do ta korrigjonte këtë mangësi në strukturën e sigurimit dhe premtoi të mos arrinte deri në ekstrem si në rastin e Koçi Xoxes, por duke vendosur njësitë e tij të sigurisë brenda njësive të partisë.
Forcat e sigurisë
Përveç mungesës së vigjilencës, Shehu u ankua dhe për përpjekje të pamjaftueshme për rritjen e kalibrit ideologjik të forcave të sigurisë. “Njerëzit ende hezitojnë të studiojnë letërsinë marksiste”, tha ai, por shtoi se këtë vit janë bërë ndryshime në këtë drejtim. Të gjithë punonjësit e Ministrisë së Brendshme, që prej ushtarëve e policëve deri te zyrtarët më të lartë “duhet të marrin pjesë në programet e zhvillimit ideologjik e politik, e megjithatë është e dukshme njëfarë hezitimi ndaj studimit”. Një tjetër mangësi në Ministrinë e Brendshme sipas autokritikës së Shehut, ishte mungesa e operacioneve administrative. Të tjera mangësi gjenden në sistemin e personelit të ministrive pasi një person që kompletoi të gjitha kurset e trajnimit, gjatë ekzaminimeve të historisë jetësore u zbulua se kishte qenë anëtar i Ballit Kombëtar. Shehu u ankua gjithashtu për sistemin e personelit në Kombinatin e Kuçovës, ku Thoma Pojani, kreu i seksionit të çmimeve, u zbulua se ishte “i padëshirueshëm”. Shehu tha se u zbulua se Pojani kishte mbaruar shkollën teknike të themeluar në Tiranë nga Harry Fultz dhe se kishte qenë i lidhur me fashistët italianë. Ai tha se Thoma Pojani ka sabotuar fabrikën e naftës në Patos dhe se është përgjegjës për humbjen e një sasie të konsiderueshme nafte. “Ai ka qenë i lidhur me inxhinierët troskistë jugosllavë, të cilët e kishin luftuar sistematikisht eksperiencën sovjetike dhe ka përhapur propagandë kundër shtetit”, tha Shehu. Në përfundim Shehu tha se Pojani ishte bashkuar me komunistët shqiptarë vetëm pas çlirimit të Shqipërisë, por ishte përjashtuar nga partia në 1946.
Karriera e Mehmet Shehut
Gjeneral lejtnant Mehmet Shehu ka lindur në 1913 në Corush të Mallakastrës. Pasi kreu shkollën fillore në fshatin e tij, Shehu u diplomua në shkollën teknike në Tiranë në 1932. Prej atëherë ai nisi aktivitetin revolucionar anti-zogist. Në vitin 1935 ai fitoi një bursë për shkollë ushtarake në Napoli të Italisë për të cilën tregoi zell të madh. Por spiunët zogistë e fashistë i kishin gjurmuar aktivitetet e tij revolucionare dhe regjimi zogist ndaloi bursën e tij dhe e ktheu në Tiranë për ta arrestuar. Gjatë kohës në Itali Shehu u njoh me korrupsionin e regjimit fashist dhe krijoi përçmim të madh si për fashizmin dhe për regjimin e Zogut në Shqipëri. Ai shkoi vullnetar në luftën e Spanjës dhe në 1937 kaloi ilegalisht kufirin nga Franca në Spanjë. Atje iu bashkua Brigadës Ndërkombëtare dhe u bë anëtar i Partisë Komuniste spanjolle. Pas luftës së Spanjës brigada ndërkombëtare u vendos në Francë. Në 1939 Shehu u internua në një kamp përqendrimi francez nga regjimi i Daladier, Paul Reunaud e Petain. Më 10 gusht 1942 Shehu u kthye në Shqipëri për të marrë pjesë në luftën kundër pushtuesve fashistë. Atë e sollën të arrestuar nga Franca në një burg të Tiranës, ku kreu 24 ditë. Pas lirimit ai kontaktoi me figura të Partisë Komuniste në zonën e Vlorës dhe nisi të organizonte e mobilizonte njerëz për luftë. Më vonë ai u bë sekretar organizativ i Komitetit të Partisë së Vlorës. Më 4 shkurt 1943 Shehu u bë komandant i kompanisë partizane të Mallakastrës. Ai ka drejtuar beteja partizane në Gjorm, Selenicë, Patos, etj. Ai ka luajtur rol të rëndësishëm në shkatërrimin e fraksioneve anti-komuniste në zonën e Vlorës gjatë verës 1943 të organizuara nga Sadik Premtja (Xhapi). Në konferencën e parë të Partisë Komuniste Shehu u shpall kandidat i Komitetit Qendror. Ai më tej udhëhoqi me sukses forcat partizane të Mallakastrës gjatë fushatave të qershorit e korrikut 1943 dhe u bë komandant i Brigadës së I-rë të sulmit në ushtrinë çlirimtare. Nën udhëheqjen e Tuk Jakovës si komisar politik, Shehu si komandant fitoi merita të mëdha në brigadë. Me formimin e Divizioni të I-rë ai u bë zv. komandant dhe në gusht 1944 u bë komandant. Shehu drejtoi çlirimin e Tiranës dhe në 1944 u ngrit në gradën gjeneral-major dhe asistent i kreut të ushtrisë. Shehu vazhdoi arsimin e tij ushtarak në Akademinë Voroshilov në ushtrinë sovjetike. Ai u bë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Partisë dhe u zgjodh në Kuvendin e Shqipërisë në zonën e Tropojës në 1947. Si komandant i ushtrisë, Shehu u përpoq të aplikonte shkencën progresive sovjetike në ushtrinë shqiptare. Në tetor 1948 u bë ministër i Brendshëm dhe në nëntor u bë kryeministër, duke mbajtur dhe postin e ministrit të Brendshëm. Kongresi i Parë i Partisë Komuniste Shqiptare, duke njohur meritat e tij për çlirimin dhe modernizimin e ushtrisë, e bëri anëtar të Komitetit Qendror dhe sekretar të PPSH.