Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku deklaroi në mbledhjen e sotme të KLP-së se nuk kishte dijeni për mbylljen e një çështjeje gjyqësore, ku i ishte bërë 25 milionë dollar dëm ekonomik shtetit.
“Në këtë periudhë kohë që keni qenë prokurore e Përgjithshme, prokurori i çështjes nuk ka bërë ankimim në Apel, ndaj një çështje ku shteti shqiptar dëmtohej me 25 milionë dollarë. Gjykata vendosi mos ta kalojë çështjen në gjyq dhe nuk u bë apelim. Çfarë kuptoni me prokurori përfaqëson akuzën e shtetit shqiptar?”, e pyeti anëtarja e KLP-së Nurihan Seiti.
“Për mungesën e apelimit të çështjes që ju përmendët, kam marrë informacion nga media, e cila bën punë të shkëlqyer. Nuk kam marrë dijeni nga prokurori i çështjes në fjalë. Është një nga mangësitë që drejtuesi i prokurorisë ka në të drejtat që i jepen, që nuk mund të bëhet ankim apo rekurs. Është në vlerësim të prokurorit të çështjes. Është në dorë të prokurorit. Prokurori përfaqëson akuzën në emër të shtetit. Nuk është akuzë personale dhe vepron në emër të shtetit. Përfaqëson akuzën dhe vepron në të gjitha shkallët e gjyqësorit”, tha Marku .










































